Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka bërë të ditur se Irlanda ka dorëzuar një deklaratë për t’iu bashkuar çështjes së gjenocidit të Afrikës së Jugut kundër Izraelit në gjykatën e lartë të OKB-së, transmeton Anadolu.
Siç njoftoi gjykata e lartë e OKB-së, duke iu referuar nenit 63 të Statutit të Gjykatës, “Irlanda dorëzoi në Regjistrin e Gjykatës një deklaratë të ndërhyrjes në çështjen lidhur me Zbatimin e Konventës për Parandalimin dhe Dënimin e Krimit të Gjenocidit në Rripin e Gazës” ose të Afrikës së Jugut kundër Izraelit.
Muajin e kaluar, ministri irlandez i Punëve të Jashtme, Micheal Martin, njoftoi se ata do t’i bashkoheshin çështjes pasi të siguronin miratimin e qeverisë për masën sipas Konventës së Gjenocidit.
Sipas nenit 63 të gjykatës së OKB-së, çdo shtet palë në një konventë që është nën shqyrtim gjyqësor ka të drejtë të ndërhyjë, duke e bërë për ta të detyrueshëm edhe interpretimin e asaj konvente.
Në dhjetor të vitit 2023, Afrika e Jugut paraqiti një kërkesë për fillimin e procedimeve kundër Izraelit, duke pretenduar shkelje të Konventës së Gjenocidit në lidhje me palestinezët në Rripin e Gazës. Disa vende i janë bashkuar që atëherë çështjes, duke përfshirë Nikaraguan, Kolumbinë, Libinë, Meksikën, Palestinën, Spanjën dhe Türkiyen.
Izraeli vazhdon ofensivën brutale në Gaza që nga sulmi i Hamasit në tetor të vitit 2023, pavarësisht rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së që kërkon një armëpushim të menjëhershëm.
pothuajse 46 mijë palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, janë vrarë që atëherë në Rripin e Gazës dhe mbi 105 mijë të tjerë janë plagosur.
Sulmet izraelite gjithashtu kanë shkaktuar zhvendosjen e pothuajse të gjithë popullsisë së territorit palestinez mes një bllokade të vazhdueshme që ka çuar në mungesa të mëdha të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve.