Irani prezanton raketat e reja të emërtuara sipas Qasem Soleimanit

Irani prezantoi raketat e tij balistike dhe lundruese (cruise) me rreze të mesme veprimi, të emëruara sipas ish-komandantit të Forcave Kuds, Qasem Soleimani, dhe zëvendëskryetarit të forcave Hashd al-Shaabi, Abu Mahdi al-Muhendis, të cilët në fillim të vitit humbën jetën në një sulm amerikan, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në ceremoninë e prezantimit me rastin e Ditës Kombëtare të Industrisë së Mbrojtjes në Teheran, presidenti iranian Hassan Rouhani tha se vendi i tij ka rritur kapacitetin e mbrojtjes, por asnjëherë nuk ka zhvilluar strategji për të sulmuar, raportoi televizioni shtetëror i Iranit.

Ai po ashtu tha se Irani nuk synon të pushtojë asnjë vend.

“Fqinjët tanë duhet të jenë të sigurt se kapaciteti mbrojtës i Iranit është edhe në dobi të tyre. Ne do ta përdorim këtë fuqi në favor të tyre, jo kundër tyre”, tha Rouhani.

Në këtë ceremoni u prezantuan dy raketa të reja të prodhuara në vend, të emërtuara sipas gjeneralit iranian Soleimani dhe zëvendësshefit të forcave Hashd al-Shaabi, Muhendis, të cilët vdiqën në sulmin amerikan më 3 janar në Bagdad, kryeqytetin e Irakut.

Duke shpalosur informacione rreth raketave, ministri i Mbrojtjes, Amir Khatami, deklaroi se raketa balistike e quajtur “Shehid Haxh Qasem Soleimani” ka një rreze veprimi prej 1.400 kilometrash.

Ndërkaq, raketa “Abu Mahdi” është projektuar si raketë lundruese dhe ka rreze veprimi prej më shumë se 1.000 kilometrash.