Irani ka bërë të ditur se i ndërpreu negociatat indirekte me SHBA-në për shkak të tensioneve aktuale rajonale, transmeton Anadolu.
Duke folur gjatë një vizite në kryeqytetin Muskat të Omanit, ministri iranian i Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, tha se Omani ka luajtur një rol pozitiv në lehtësimin e dialogut midis Teheranit dhe Washingtonit, që më pas u njoh si Procesi i Muskatit.
“Për momentin, Procesi i Muskatit është ndalur për shkak të kushteve specifike rajonale. Ne nuk shohim bazë për këto bisedime derisa të zgjidhet kriza aktuale. Më pas, ne do të vendosim nëse do të rifillojmë negociatat dhe në çfarë forme duhet të vazhdojnë ato”, tha Araghchi.
Deri më tani, nuk ka pasur asnjë koment nga SHBA-ja për deklaratat e ministrit Araghichi.
Ministri iranian mbërriti në vendin e Gjirit sot herët në mëngjes për të zhvilluar bisedime me homologun e tij nga Omani, Badr bin Hamad Al Busaidi, pas një vizite në Irak gjatë ditës së djeshme.
Bisedimet mes dy diplomatëve trajtuan zhvillimet e fundit rajonale në mes të sulmeve të vazhdueshme të Izraelit në Gaza dhe Liban.
Tensionet rajonale janë përshkallëzuar për shkak të ofensivës brutale të Izraelit ndaj Rripit të Gazës, e cila ka vrarë të paktën 42.300 palestinezë, kryesisht gra dhe fëmijë, pas një sulmi të Hamasit vitin e kaluar.
Konflikti është përhapur në Liban me Izraelin që ka nisur sulme vdekjeprurëse në të gjithë vendin, të cilat që nga 23 shtatori kanë vrarë të paktën 1.488 njerëz dhe kanë plagosur afër 4.300 të tjerë.
Pavarësisht paralajmërimeve ndërkombëtare se rajoni i Lindjes së Mesme është në prag të një lufte rajonale mes sulmeve të pamëshirshme të Izraelit në Rripin e Gazës dhe Liban, më 1 tetor Tel Avivi e zgjeroi konfliktin duke nisur një inkursion tokësor në Libanin jugor.