Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Irani liron gazetaren italiane Cecilia Sala

Irani liron gazetaren italiane Cecilia Sala

Cecilia Sala

Gazetarja italiane Cecilia Sala është liruar nga një burg iranian pas tre javësh në paraburgim dhe është rrugës për në Itali, transmeton Anadolu.

Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë njoftoi se Sala, e cila u arrestua nga policia e Teheranit më 19 dhjetor derisa raportonte në kryeqytetin iranian, u lirua pas përpjekjeve diplomatike dhe të inteligjencës nga autoritetet italiane.

Sipas zyrës së kryeministres italiane Giorgia Meloni, “aeropolani që po sjell gazetaren Cecilia Sala në shtëpi u ngrit pak minuta më parë nga Teherani” dhe ajo pritet të mbërrijë në Romë pasditen e sotme.

“Falë punës intensive në kanalet diplomatike dhe të inteligjencës, bashkatdhetarja jonë është liruar nga autoritetet iraniane dhe po kthehet në Itali”, tha zyra e kryeministres.

Meloni gjithashtu ndau lajmin për lirimin e gazetares italiane në rrjetet sociale. Ajo shprehu mirënjohje për ata që u përfshinë në sigurimin e lirisë së gazetares Sala duke i “mundësuar të përqafojë familjen dhe kolegët e saj”.

Kryeministrja italiane gjithashtu tha se përmes një telefonate ka informuar personalisht prindërit e gazetares për lirimin e saj.

Ndalimi i gazetares italiane ngriti spekulime në mediat italiane për një lidhje të mundshme me arrestimin e inxhinierit iranian Mohammad Abedini, të kapur në aeroportin Malpensa të Milanos më 16 dhjetor, tre ditë para arrestimit të gazetares në Teheran. Abedini u ndalua me urdhër të SHBA-së.

Lirimi i saj vjen disa ditë pasi Meloni bëri një udhëtim të papritur në Florida për t’u takuar me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump, në rezidencën e tij në Mar-a-Logo.

Kthimi i Sala-s shënon përfundimin e një përplasjeje të tensionuar diplomatike, me qeverinë e Melonit që mori meritat për negociatat prapa skenave për lirimin e saj.

Exit mobile version