Irani i gatshëm për negociata lidhur me programin bërthamor

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi tha se mosmarrëveshjet për programin bërthamor të vendit të tij mund të zgjidhen përmes rrugës së bashkëpunimit dhe dialogut dhe se ata janë të gatshëm të negociojnë në përputhje me interesat kombëtare, raporton Anadolu.

Araghchi u takua në Teheran me kreun e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Mariano Grossi. Me një postim nga llogaria e tij në median sociale X pas takimit që u zhvillua me dyer të mbyllura, Araghchi deklaroi se me Grossin kanë patur bisedime “të rëndësishme dhe të sinqerta”.

Ai tha se Irani vazhdon të bashkëpunojë me IAEA-në si një anëtar i Traktatit për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT). “Mosmarrëveshjet mund të zgjidhen me rrugën e bashkëpunimit dhe dialogut. Ne ramë dakord të vazhdojmë rrugën me një vullnet të fortë dhe qëllim të mirë”, thekson Araghchi.

Lidhur me negociatat me Perëndimin për programin bërthamor të vendit të tij, Araghchi tha se “Irani nuk është larguar kurrë nga tryeza e negociatave për programin e tij bërthamor paqësor. Tani është radha e (BE) në E3 (Britania, Franca dhe Gjermania). Ne jemi të gatshëm të negociojmë mbi bazën e interesave tona kombëtare dhe të drejtave tona të pamohueshme dhe jo nën presion”.

Në anën tjetër, në deklaratën e tij për media pas takimit, Grossi tha se nesër do të vizitojë objektet bërthamore të Iranit në Fordo dhe Natanz.