Shefi i Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, Rafael Grossi do të niset këtë fundjavë drejt Teheranit për bisedime që mund të lehtësojnë një ngërç mes Iranit dhe Perëndimit, por dhe që mund të rrezikojnë një përshkallëzim e dëmtim të negociatave për ringjalljen e marrëveshjes bërthamore me Iranin.
Lajmi u njoftua të shtunën nga tre diplomatë që thanë se udhëtimi i z. Grossi para takimit të javës së ardhshme të bordit të guvernatorëve të kësaj agjencie në përbërje të së cilës janë 35 vende, ishte konfirmuar.
Dy nga diplomatët thanë se z. Grossi pritet të mbërrijë në Teheran sot herët në mëngjes. Ai pritet të takohet me kreun e ri të Agjencisë iraniane për Energjinë Atomike, Mohammad Eslami.
Agjencia Ndërkombëtare për Energjinë Atomike informoi shtetet anëtare këtë javë se nuk kishte pasur përparim në dy çështje kryesore: shpjegimin e gjurmëve të uraniumit të gjetur në disa impiante të vjetra, e të padeklaruara dhe sigurimin e qasjes urgjente tek disa pajisje monitorimi, në mënyrë që agjencia të vazhdojë të mbajë nën vëzhgim pjesë të programit bërthamor të Iranit, sikurse parashikohet nga marrëveshja e vitit 2015.
Bisedimet e tërthorta mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, që synojnë rikthimin tek kushtet e marrëveshjes bërthamore, janë ndërprerë që nga qershori. Uashingtoni dhe aleatët e tij evropianë i kanë kërkuar Presidentit Ebrahim Raisi, i vijës së ashpër i cili mori detyrën në muajin gusht, t’u rikthehet bisedime.
Sipas marrëveshjes së vitit 2015 mes Iranit dhe fuqive të mëdha, Teherani ra dakord për kufizime të aktiviteteve bërthamor në këmbim të heqjes së sanksioneve ndërkombëtare.
Në vitin 2018 ish-Presidenti Donald Trump i tërhoqi Shtetet e Bashkuara nga marrëveshja, duke rivendosur sanksione të dhimbshme ekonomike ndaj Iranit. Që nga viti 2019 Teherani u përgjigj duke shkelur shumë nga ato pika që përbëjnë thelbin e marrëveshjes, sikurse pasurimi i uraniumit deri në atë nivel që mund të përdoret për prodhimin e një arme bërthamore. /voa