Mijëra iranianë janë tubuar në “Sheshin e Palestinës” në pjesën qendrore të kryeqytetit iranian Teheran për të protestuar atë që ata e përshkruan si krime të vazhdueshme të luftës dhe gjenocidin izraelit në Rripin e Gazës, raporton Anadolu.
Demonstruesit mbanin flamuj palestinezë, pankarta të Hezbollahut si dhe postera të figurave të Hezbollahut të vrarë në sulmet izraelite.
Sloganet dhe brohoritjet “Vdekje SHBA-së” dhe “Vdekje Izraelit” jehonin nëpër shesh.
Gjatë tubimit, protestuesit i vunë flakën një flamuri izraelit, ndërkohë një pjesë e sheshit ishte lyer me ngjyrë të kuqe dhe shfaqeshin arkivole në mënyrë simbolike që synonin të theksojnë vdekjen e foshnjave, fëmijëve dhe grave në Gaza.
Më 18 mars, Izraeli rifilloi një fushatë të papritur të sulmeve ajrore në Gaza dhe që atëherë ka vrarë të paktën 1.482 palestinezë dhe ka plagosur më shumë se 2 mijë të tjerë, duke shkelur armëpushimin e muajit janar dhe marrëveshjen e shkëmbimit të të burgosurve midis Izraelit dhe Hamasit.
Javën e kaluar, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu tha se do të përshkallëzojë sulmet në Gaza derisa përpjekjet janë duke u zhvilluar për të zbatuar planin e presidentit të SHBA-së, Donald Trump, për zhvendosjen e palestinezë nga enklava.
Që nga tetori i vitit 2023, gjenocidi i vazhdueshëm izraelit ka marrë jetën e të paktën 50.800 palestinezëve, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.
Në muajin nëntor, Gjykata Ndërkombëtare Penale lëshoi urdhër-arreste ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, duke i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzit. Për luftën në enklavë, Izraeli gjithashtu përballet me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.