Rreth 25 milionë qytetarë në Irak janë thirrur të votojnë për zgjedhjen e 329 ligjvënësve. Zgjedhjet po mbahen para kohe, pas dorëzimit të qeverisë përpara protestave popullore.
Kryeministri Mustafa al Kazimi votoi në qendrën zgjedhore në Zonën e Gjelbër, ndër më të sigurtat në Bagdad.
“Ky është një shans për ndryshim. Dilni dhe votoni, ndryshojeni realitetin tuaj, për Irakun dhe të ardhmen”, u tha ai qytetarëve që hezitojnë.
Zgjedhjet po zhvillohen me një ligj elektoral të ri, i cili prezanton një sistem zgjedhor me një anëtar dhe rrit numrin e zonave për të inkurajuar kandidatët e pavarur.
Vëzhguesit e Bashkimit Evropian janë në terren.
Zgjedhjet po mbahen nën masa të rrepta sigurie, në një vend ku Shteti Islamik mbetet ende aktiv. Aeroportet u mbyllën natën mes së shtunës dhe së dielës dhe nuk do të hapen deri ditën e hënë.
Gjithashtu, udhëtimet mes provincave janë ndaluar dhe restorantet dhe qendrat tregtare do qëndrojnë të mbyllura.
Të planifikuara fillimisht për në vitin 2022, zgjedhjet u afruan për të qetësuar protestat e lindura në vjeshtë të 2019-s, për të shprehur pakënaqësinë e madhe popullore përballë korrupsionit të lartë, ekonomisë së rraskapitur dhe shërbimeve publike të dështuara.
Rezultatet paraprake pritet të dalin 24 orë nga mbyllja e qendrave zgjedhore, ndërsa rezultatet përfundimtare brenda 10 ditëve. /euronews