Iraku ka evakuuar gjithsej 1.876 refugjatë që ishin bllokuar në kufirin midis Bjellorusisë dhe Polonisë për të hyrë në Evropë, thuhet në një deklaratë të “Iraqi Airways”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Evakuimi do të vazhdojë deri më 29 nëntor. Të premten, Ministria irakiane e Transportit njoftoi se kishte evakuuar 608 refugjatë.
Abbas Omran, drejtor i përgjithshëm i kompanisë ajrore irakiane, tha se evakuimi vijoi pa probleme.
“Dy fluturime çarter kryen me sukses evakuimin nga aeroporti i Minskut në aeroportet në Erbil dhe Bagdad, pasi morën miratimet zyrtare nga autoritetet irakiane dhe bjelloruse”, tha Omran.
Deklarata shtoi se refugjatët u evakuuan nga “Iraqi Airways”.
Iraku njoftoi gjithashtu evakuimin e 430 qytetarëve të tij më 18 nëntor.
Që nga gushti, Lituania, Letonia dhe Polonia, vendet e Bashkimit Evropian që kufizohen me Bjellorusinë, kanë regjistruar një rritje dramatike të numrit të kalimeve të parregullta kufitare.
Deri më tani këtë vit, më shumë se 8.000 njerëz janë përpjekur të hyjnë në bllokun evropian përmes kufirit Bjellorusi-BE, duke u rritur ndjeshëm nga vetëm 150 vitin e kaluar.
Bashkimi Evropian pretendon se Bjellorusia arrin tek udhëtarët potencialë përmes kanaleve në dukje zyrtare, duke përfshirë misionet diplomatike dhe agjencitë e udhëtimit, dhe i fton duke u ofruar viza. Ata më pas supozohet se janë çuar në kufirin e BE-së.
Që nga java e kaluar, të paktën 2.000 njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, kanë qenë në kushte të vështira në zonën kufitare Bjellorusi-Poloni. /aa