Që prej 8 ditësh vazhdojnë përpjekjet për të shuar zjarrin në kompleksin (fabrikën) e squfurit Mishrak në jug të Mosulit të cilit i është vënë zjarri nga militantët e organizatës terroriste DEASH. Tymi helmues i squfurit të papërpunuar që digjet dhe që përhapet në rajon përbën një kërcënim serioz për banorët e fshatit dhe ushtarët me detyrë në rajon, raporton Anadolu Agency (AA).
Deri tani si pasojë e gazrave helmues të përhapur në ajër kanë humbur jetën 3 persona.
Tymi helmues që del nga stoku i afërsisht 50 mijë ton squfurit të papërpunuar që digjet në kompleksin (fabrikën e squfurit) të cilit iu vu zjarri nga DEASH-i më 19 tetor dy ditë pas fillimit të operacionit për çlirimin e Mosulit vazhdon të kërcënojë civilët përreth dhe mjedisin.
Salih Osman një nga kryeinxhinierët e fabrikës për gazetarin e AA-së tha se objekti ishte në punë që nga viti 1971 dhe u mbyll pas pushtimit të SHBA-ve në vitin 2003 për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike.
Duke vënë në dukje se që nga ajo kohë stoku i squfurit mbahej në pjesën e prapme të objektit, Osman tha se “DEASH-i e ka mbajtur nën kontroll këtë afërsisht që prej dy vitesh e gjysëm. Pasi vërejti se ushtria e Irakut po përparonte e dogji atë”.