Mbi 100 civilë u vranë në një shpërthim të fuqishëm në një zonë të banuar në Mosul, ku trupat irakiane po luftojnë për të larguar organizatën terroriste DAESH nga bastioni i tij i fundit në vend, sipas burimeve të ushtrisë dhe aktivistësh në terren.
Gjenerali Mohammed al-Jabouri, komandant i një brigade irakiane në operacionin për çlirimin e Mosulit nga pushtimi i DAESH-it, tha se “108 trupa janë gjetur”.
Al-Jabouri deklaroi se “shpërthimi në lagjen Al-Jadida të Mosulit, shumë pranë Mosulit Perëndimor, ishte për shkak të një atentati të përgatitur nga DAESH-i”.
Nga ana tjetër, “Mosul Eye”, një shoqatë e pavarur që monitoron situatën në terren, pretendoi se numri i të vdekurve arrin deri në 130 persona duke përfshirë fëmijët dhe gratë, madje flet për një atentat të dyfishtë. Shoqata në fjalë shtoi se edhe forcat irakiane të sigurisë kishin goditur me raketa këtë vend.
Shpërthimi me sa duket ka ndodhur të mërkurën në mbrëmje, por informacionet e para janë shfaqur vetëm të enjten.