Në Irak që pas okupimit nga SHBA-të në vitin 2003 e deri tani janë vrarë 455 gazetarë, nga të cilët 20 prej tyre janë vrarë brenda këtij viti, raporton Anadolu Agency (AA).
Sipas raportit të përgatitur nga Sindikata e Gazetarëve të Irakut, mësohet se në vitin 2016 janë vrarë nga organizata terroriste DEASH 20 gazetarë nga të cilët shumica prej tyre në Mosul.
Ndër të tjera në raport theksohet se në vendin ku nuk vepron ligji vazhdojnë rreziqet për profesionin e gazetarisë dhe shqetësimet në lidhje me sigurinë e gazetarëve.
Gjithashtu thuhet se “Gazetarët në vitin 2016 në Irak janë përballur me shumë tragjedi dhe dhimbje. Kanë vazhduar atentatet dhe kërcënimet me vdekje kundër gazetarëve.”
Iraku për shkak të kaosit i cili vazhdon që nga pushtimi nga SHBA në vitin 2003, konsiderohet si vendi më i rrezikshëm për përfaqësuesit e mediave.