Irak, protestuesit bllokojnë rrugët dhe urat kryesore në Bagdad

Protestuesit irakianë bllokuan një numër urash kryesore dhe rrugë në kryeqytetin Bagdad të hënën, ndërsa demonstratat antiqeveritare vazhduan për ditën e dhjetë, raporton Anadolu Agency (AA). 

Demonstruesit gjithashtu bllokuan rrugët dhe institucionet qeveritare në provincat Babiloni, Dhi Qar, Muthanna, Diwaniya, Wasit dhe Maysan në Irakun jugor dhe qendror. 

Përshkallëzimi i situatës të hënën erdhi një ditë pasi protestuesit sulmuan konsullatën iraniane në qytetin e shenjtë Shiit, në Qerbela, duke rrëzuar flamurin iranian dhe duke e zëvendësuar atë me flamurin e Irakut. 

Iraku është përfshirë nga një valë e dytë protestash që nga java e kaluar kundër korrupsionit të rrënjosur, papunësisë dhe mungesës së shërbimeve themelore. 

Të paktën 260 njerëz janë vrarë dhe 12,000 të tjerë janë plagosur që prej fillimit të demonstratave në 25 tetor, sipas Komisionit të Lartë të Irakut për të Drejtat e Njeriut. 

Zemërimi në Irak është shfaqur vitet e fundit për shkak të rritjes së papunësisë dhe korrupsionit të shfrenuar. Shumë njerëz në vend kanë qasje të kufizuar në shërbimet themelore siç janë energjia elektrike dhe uji i pastër. 

Sipas shifrave të Bankës Botërore, papunësia e të rinjve në Irak është rreth 25 për qind. Gjithashtu vendi renditet si i 12-të më i korruptuar në botë nga disa organizata të transparencës.