IPK suspendon zyrtarin policor që plagosi aksidentalisht policen në Prishtinë

Inspektoriati Policor i Kosovës, ka njoftuar se ka filluar hetimet lidhur me plagosjen e zyrtares policore aksidentalisht nga kolegu i saj brenda Stacionit Policor Jugu në kryeqytet.

Sipas njoftimit, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbit e ka plagosur zyrtaren policore në këmbë.

Viktima është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor, ndërsa zyrtari policor që plagosi policen është suspenduar.

Lidhur me rastin, është konfiskuar arma e zjarrit si dhe është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme.

“Hetuesit e IPK-së janë njoftuar sot në orët e mëngjesit nga Policia e Kosovës për një incident shkrepje aksidentale të armës së zjarrit në objektin e Stacionit Policor Jugu në Prishtinë. Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se si pasojë e shkrepjes aksidentale një copë e gëzhojës së plumbi ka plagosur një zyrtare policore në këmbë dhe e njëjta është transportuar menjëherë për trajtim mjekësor. Lidhur me rastin, është njoftuar edhe prokurori i shtetit, i cili do të udhëheqë hetimet e mëtejshme në bashkëpunim me Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK). Arma e zjarrit është konfiskuar, ndërsa zyrtari policor që shkaktoi aksidentalisht shkrepjen është suspenduar. Hetuesit e IPK-së pritet të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të të gjitha rrethanave të këtij rasti”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Tashmë gjendja e policen është stabile dhe e njëjta është dërguar në Ortopedi, për shkak se copa e gëzhojës së plumbit e ka prekur në këmbë.

Kështu ka bërë të ditur për Tëvë1, mjeku kujdestar Naser Syla.

“Po, është pranuar dhe trajtuar tek ne në QE, pas ekzaminimeve të nevojshme dhe trajtimit është transferuar në Klinikën e Ortopedisë për vazhdim të trajtimit”, tha Syla.