Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht hetuesit e saj kanë filluar procedurën hetimore në muajin shtator të këtij viti ndaj disa të dyshuarve (zyrtarë policorë të Policisë së Kosovës – Stacioni Policor i Gjakovës).
Përmes një komunikate për medie, IKSHPK, bën të ditur se hetimi fillimisht kishte filluar me dyshimin për kryerjen e veprës penale “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” lidhur me një incident që kishte ndodhur më 13 shtator 2020.
IPK ka qenë duke e hetuar në këtë rast rrethanat e përdorimit të armës së zjarrit nga një zyrtar policor me dyshimin se me rastin e gjuajtjes me armë zjarri ndaj një motoçiklisti në lëvizje (person i dyshuar) janë tejkaluar autorizimet e tij për përdorimin e armës zyrtare.
Sidoqoftë, gjatë hetimit të këtij rasti, hetuesit e IPK-së kanë zbuluar prova shtesë me dyshimin për keqpërdorim të detyrës apo autorizimeve zyrtare edhe nga disa zyrtarë policorë(fshehje e dëshmive dhe informacioneve lidhur me rastin e shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm).
Duke ju referuar autorizimeve ligjore të IPK-së, në interes të procedurës hetimore, IPK ka rekomanduar sot Policisë së Kosovës suspendimin e shtatë punonjësve të Policisë së Kosovës si të dyshuar në këtë rast ( një major – U.D komandanti i stacionit policor të Gjakovës, një toger policor, katër zyrtarë policorë dhe një pjesëtar i stafit civil të PK-së).
Hetuesit në koordinim me prokurorinë kompetente do të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të rrethanave të këtij rasti.