IPK: Nga 800 ankesa, 32 policë janë suspenduar e 18 të tjerë janë arrestuar

Në Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) kanë pranuar 800 ankesa nga zyrtarëve policor, ku 300 prej tyre janë hetuar penalisht.

Kushtrim Hodaj, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv në IPK, në një intervistë për Ekonomia Online ka konfirmuar se nga këto ankesa 32 zyrtarë policor janë suspenduar, kurse janë arrestuar 18.

Ai ka sqaruar se është kërkuar suspendimi edhe i gjashtë punonjësve të Policisë.

“Ne edhe këtë vit edhe pse ka qenë vit i pandemisë ne kemi pranuar numër të njëjtë të ankesave dhe të punonjësve të Policisë dhe kemi pranuar 800 ankesa deri më tani ndaj punonjësve të policisë ku një pjesë e tyre janë cilësuar si shkelje administrative dhe mbi 300 janë hetuar penalisht nga Inspektorati Policor”.

“Deri më tani rezulton që janë arrestuar diku 18 punonjës të Policisë dhe janë suspenduar 32 punonjës të Policisë. Sa i përket zhvillimit të planit operativ për zbatimin e masave nga ana e Policisë në gjatë monitorimit ekipet tona kanë hasur në disa parregullsi dhe është kërkuar suspendimi i 6 punonjësve të Policisë”.

Ai më tej ka sqaruar se kanë pranuar disa ankesa sa i përket qasjes selektive të zyrtarëve policore në raport me qytetarët për respektimin e masave kundër pandemisë.

Për këtë qëllim ai tha se kanë ndërmarrë një plan operativ për monitorimin e veprimeve të Policisë.

“Ne në kuadër të autorizimeve tona ligjore kemi për mandat monitorimin dhe mbikëqyrjen e zyrtarëve policor dhe pas disa shqetësimeve prej qytetarëve dhe grupeve të caktuara qoftë biznese, apo zyrtarëve komuna dhe kemi hasur që ka pasur shqetësime ndoshta në mënyrën jo të drejtë të zbatimit të masave nga ana e Policisë apo për një qasje selektive në disa raste ndaj disa qytetarëve ose bizneseve”.

“…në kuadër të saj ne kemi ndërmarrë një plan operativ që të monitorohen veprime të Policisë dhe të sigurohen qytetarët që vendimet e Qeverisë dhe masat nga Qeveria po zbatohen në mënyrë të drejtë nga ana e tyre. Dhe kjo ka pasur një efekt të drejtë sepse ka arritur të rrisë efikasitetin e Policisë”.

Inspektorati i Policisë së Kosovës dhe Prokuroria kanë konstatuar se dy zyrtarët policorë, të përfshirë në përleshje me dy qytetarë në Ferizaj, nuk i kanë tejkaluar kompetencat e tyre.

Më 14 gusht, në orët e mbrëmjes, dy pjesëtarë të Policisë së Kosovës, gjatë inspektimit të zbatimit të masave ndaj COVID-19, në një qendër tregtare në Ferizaj, ishin përleshur me dy qytetarë, të cilët nuk kishin respektuar masat kundër pandemisë.