Inspektorati i Policisë së Kosovës ka rekomanduar për suspendimin e dy zyrtarëve policorë në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut.
Sipas komunikatës së IPK-së, ky suspendim i zyrtarëve policor ka ndodhur për shkak të një incidenti në sheshin “Car Llazar” të shtunën në veri të vendit, nën dyshimin se të njëjtit janë përfshirë në keqtrajtimin e qytetarit në këtë rast.
“Duke ju referuar pretendimeve për keqtrajtim nga policia në Mitrovicën e Veriut lidhur me një incident në sheshin “Car Llazar” të datës 26 tetor 2024, hetuesit e IPK-së kanë rekomanduar sot suspendimin e dy zyrtarëve policorë (një rreshter dhe një zyrtar policor) të angazhuar në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Mitrovicën e Veriut.Rekomandimi për suspendim është bërë në interest të hetimit me dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë në keqtrajtimin e qytetarit në këtë rast” thuhet në komunikatë.
Ndryshe, IPK-ja ka treguar se si ka rrjedhur ngjarja deri tek incidenti.
“Sipas raporteve zyrtare incidenti raportohet të ketë ndodhur kur policia ka arrestuar dhe shoqëruar në stacionin policor një qytetar me inicialet M.S me dyshimin se i njëjti ka dëmtuar pronën e një dyqani privat në prezencë të zyrtarëve policorë. Pas shqiptimit të një tikete për kundërvajtje (sipas Ligjit për rendin dhe qetësinё publike) i njëjti është liruar. Hetuesit e IPK-së përmes një hetimi preliminar do të verifikojnë pretendimet për keqtrajtim të të njëjtit nga policia gjatë ndërmarrjes së veprimeve policore në këtë incident”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.
Ndërkohë, IPK-ja ka filluar procesin e grumbullimi të informacioneve dhe hetimit preliminare lidhur me pretendimet për keqtrajtimin e qytetarit nga Policia e Kosovës.
Ndryshe, Organizatat e shoqërisë civile serbe kanë reaguar për këtë incident, duke ndërprerë bashkëpunimin me EULEX-in, pasi këto organizata kanë kërkuar nga EULEX-I të paraqesin vlerësimin e tyre për policinë e Kosovës dhe forcave speciale në veri.
Madje, organizatat kanë kërkuar incizimin e hetimit më të gjerë nga IPK-ja për veprimet në rajonin e veriut nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës.