IPK: Aksidenti me fatalitet në Skënderaj sipas vlerësimeve të para u shkaktua nga vetura e policisë

Inspektorati i Policisë së Kosovës ka bërë të ditur se aksidenti ku humbën jetën tre persona në fshatin Çubrel të Skënderajt, e ku u përfshi një veturë civile dhe një e Policisë së Kosovës, u shkaktuar si pasojë e mospërshtatjes së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i veturës së policisë.

IPK ka bërë të ditur se vetura zyrtare kishte dalë në anën tjetër të shiriti të rrugës duke e goditur veturën civile.

“Bazuar në veprimet fillestare hetimore dyshohet se aksidenti ka ndodhur si rezultat i mos përshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes së automjetit me kushtet e rrugës nga drejtuesi i automjetit zyrtar të policisë i cili ka kaluar në shiritin e kundërt duke goditur veturën civile”, thuhet nga IPK.

Poashtu IPK ka bërë të ditur se ka suspenduar zyrtarin policor i cili ishte duke drejtuar veturën.

“Si pjesë e procedurave administrative dhe në interes të hetimit, IPK ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit policor i cili ka qenë drejtues i automjetit zyrtar të policisë në momentin e aksidentit përderisa lidhur me aksidentin janë duke u ndërmarrë veprime hetimore në koordinim me prokurorin kompetent”, thuhet në komunikatë.

Tre anëtarë të familjes Gashi nga Peja kanë humbur jetën në aksidenin e mbrëmshëm, ndarsa pesë të tjerë kanë pësuar lëndime në mesin e tyre katër pjesëtarë të Policisë së Kosovës.