Ipeshkvia e Kosovës në një reagim të nënshkruar zëdhënësi Don Fatmir Koliqi, thotë se shkrimet dhe publikimi i fotografive të papërshtatshme të priftit Don Isidor Lukiq – drejtor i shkollës “Don Bosco” – kanë ngjyrime tendencioze “si në metodologji ashtu edhe në përmbajtje”.
“Shkolla e Don Bosco-s është një ndër shkollat më të mira në Kosovë, me reputacion dhe edukim shembullor. Që nga fillimi i punës së saj, jo që nuk kemi pasur asnjë vërejtje nga Familjet e nxënësve, por përkundrazi, kemi pranuar vlerësime të larta për të gjithë stafin drejtues të saj. Misioni i Don Boscos në edukimin dhe formimin e të rinjve është një dhuratë për Kishën dhe Shoqërinë tonë në Kosovë.
Shprehim keqardhje për shkrime të këtilla që ndjellim dyshime dhe krijojnë huti te qytetarët tanë. Nuk besojmë se do të kenë ndodhur gjëra të palejueshme në Shkollën Don Bosco, dhe besojmë në deklaratën për media që ka lëshuar Shkolla Don Bosco. Megjithatë, ipeshkvi do të interesohet për të zbardhur rastin edhe në detaje, duke ftuar edhe organet kompetente, që të arrihet deri te e vërteta” (sic.), thuhet në reagim.