Flet psikologia Manjola Baçi
Teknologjia çdo ditë edhe më shumë po bëhet pjesë e pandashme e jetëve tona, duke i ndikuar ato. Avancimi teknologjik ka rritur edhe përdorimin e saj në masë, madje edhe nga fëmijët.
Por si qëndron ky raport mes teknologjisë dhe fëmijëve? Sa të rrezikuar janë ata prej saj? Si ndikon teknologjia në rritjen dhe zhvillimin e tyre?
Psikologia Manjola Baçi rrëfen se fëmijët po nisin të krijojnë varësi gjithmonë e më shumë ndaj teknologjisë.
“Fëmijët bien pre e abuzimeve nëpërmjet komunikimit virtual, si ajo pornografik, e shfrytëzimit të të rinjve dhe grupeve kriminale.”, rrëfen psikologia.
Më tej në një intervistë për “Koha Jonë”, Baçi flet edhe për avantazhet dhe disavantazhet e përdorimit të teknologjisë, kujdesi që prindërit duhet të tregojnë dhe koha që fëmijët duhet të kalojnë on-line.
Teknologjia çdo ditë e më shumë po bëhet pjesë e pandashme e jetëve tona. Si e shihni raportin që fëmijët kanë me teknologjinë?
Teknologjia ka përparësitë e saj të zhvillimit të disa aftësive tek njeriu. Tek fëmijët nxit memorizimin dhe përqendrimin, në rastin kur ka funksion pozitiv për të shërbyer në mësimdhënie. Ajo që sot quhet si shqetësuese mbi teknologjinë janë rrjetet sociale dhe lojërat kompjuterike. Nga njëra anë, janë prindërit që duan dhe nuk duan që kjo teknologji e avancuar, që ka përfshirë të madh e të vogël, të marrë kohën e fëmijës për t’u rritur në mënyrë të natyrshme pa krijuar varësi dhe izolim social. Fëmijët janë natyrë e brishtë, që e marrin si të mirëqenë të gjitha burimet dhe lundrimin që bëjnë në internet. Ky raport lidhjeje që kanë fëmijët me të shihet si proces që jeta po drejtohet nga këta gjigantë virtual që ndërmjetëson aftësinë logjikuese me atë emocionale. I bën ata të prekur dhe të varur ndaj sjelljeve manipuluese, si ajo nga ana teknike por edhe e lidhjeve njerëzore. Bota e njeriut e zhvilloi teknologjinë për të rendur të gjithë pas saj. Përveç lehtësirave pozitive që ka, po krijon izolim individual, ku secili ballafaqohet me krijimin imagjinar që realizon njeriu.
Kur një fëmijë nis të krijojë varësi ndaj teknologjisë?
Fëmijët kanë tendencë për të pranuar më shpejt mjetet teknologjike, pasi informacioni vizual që përthith është fillimisht manipulativ dhe bindës për zhvillimin e fëmijës. Kujdesi prindëror duhet të shihet fillimisht tek mospranimi i këtyre mjeteve, pasi ka rreziqe në valë që dëmton fëmijën, përqendrimi i gjatë në figurë, lodhja e syve e dëmtimi më pas i tyre, etj.
Gjithashtu kur fëmijët rrinë gjatë duke luajtur i bën ata të tërhequr, më pak socialë, nuk komunikon, shpreh agresivitet kur luan pasi imiton sjelljet e fituara nga lojërat kompjuterike, mungesë përqendrimi, evitim të konsumit të ushqimit pasi përhumbet në lojërat e tij/saj.
Në gjykimin tuaj, a justifikohen prindërit që lejojnë fëmijët të zëvendësojnë kohën e tyre me teknologjinë?
Prindërit janë qenie si vetë fëmijët e tyre, ata duan të jenë më të mirët për fëmijët e tyre, t’i sigurojnë të ardhmen me mundësitë që ata i krijon vetë për t’ia dalë mbanë. Edhe pse jo të gjithë janë prirur për t’u bërë prindër, jo për faj të tyre, por për shkak të jetës apo mungesës së atashimit apo privimit të instinktit prindëror.
Angazhimet dhe përgjegjësia për të sjellë të ardhura në familje bën që prindi të jetë me kohë të kufizuar me fëmijën/ët. Kështu për të mbushur mungesën e tyre i krijon hapësirë argëtimit të pakontrolluar siç është lundrimi në internet. Familja duhet të jetë prioritet për të qenë së bashku dhe të dinë nevojat e njëri-tjetrit, por nuk justifikohet mungesën e prindërve që këtej përpiqen për të përmbushur nevojat kryesore. Në këtë mënyrë, më pas të kthehen neglizhues pasi mendojnë se po përmbushin detyrat e tyre vetëm biologjiksht e materialisht. Të gjejnë kohë për mos hequr përgjegjësitë apo lodhjen që kanë në jetën e tyre personale dhe t’i drejtojnë ata në një liri pa kufi, por të mbështesin e të dëgjojnë zërin e fëmijës, pasi ata nuk kanë nevojë për t’u argëtuar të vetëm, por të jenë së bashku.
Manjola, mund të na thoni disa nga avantazhet e përdorimit të teknologjisë nga fëmijët?
Patjetër sikurse çdo gjë e “e keqe” e ka një të mirë. Kjo për të thënë që gjatë përdorimit apo konsumimit të tepruar apo pa kontroll mund të dëmtojë. Përdorimi i mjeteve teknologjike, ka një ndikim dhe kuriozitet tek fëmijët, pasi i bën ato/ata të pavarur, për të kuptuar aftësitë e tyre menaxhuese, inkurajon tek ata përgjegjësinë për të kryer detyrat që iu ngarkohen nëpërmjet paketave të rrjetit. Njihet me ndryshimet që ndodhin në rrafsh global, qëndron në kontakt të vazhdueshëm me avancimin teknologjik, të termave, pra me pak fjalë është koherent.
Po disavantazhet?
Ajo çfarë quajnë të dëmshme apo të rrezikshme psikologët janë rrjetet që mund të marrin kohën e fëmijës, e cila është e panjohur për ta. Këtu e kam fjalën për rrjetet e shumta sociale dhe të pafiltruara. Duke qenë pjesë e këtyre, fëmijët bien pre e abuzimeve nëpërmjet komunikimit virtual, si ajo pornografik, e shfrytëzimit të të rinjve dhe grupeve kriminale.
Si mund të shkëputen fëmijët nga teknologjia?
Si psikologe dhe si nënë, kuptoj që mjetet teknologjike ndihmojnë zhvillimin edukativ të fëmijës. Edhe lojërat kreative gjithashtu ndihmojnë në aftësitë krijuese të tyre. Këshilloj prindërit që të kufizojnë kontaktin vizual me mjetet si celulari, ipad, kompjuter etj. Jo t’i përdorin ato, për të ç’fokusuar apo drejtuar vëmendjen drejt tyre, pasi kështu perceptohet si heqje e vëmendjes nga ana e prindërve. Fëmijët e kuptojnë kur ju mund të jeni fizikisht, por nuk jeni aty shpirtërisht. Do t’ju pëlqejë kjo gjë, por nuk do t’i mbushi me siguri e vëmendje, kështu do kemi mungesë besimi e vetëvlerësimi të ulët tek fëmijët.
A mendoni se rrezikohen fëmijët nga çështje më madhore si trafikimi, pedofilia apo komunikimi me njerëz të panjohur duke qëndruar on-line për një kohë të gjatë?
Komunikimi virtual nëpërmjet rrjeteve sociale të pakontrolluar nga një i rritur i rrezikon ato/ata për të rënë pre ndaj grupeve kriminale, pornografia, abuzimi ndaj të miturve e trafikimi i tyre, pasi ata janë ende fëmijë për të kuptuar botën reale dhe konfuzojnë realitetin me diçka që ata e duan fort siç është pavarësia, lira pa kufij, ku mendojnë se janë të rritur për të vepruar dhe menduar në aspekt me përgjegjësi. Vigjilenca e prindërve, kontrolli i vazhdueshëm se me çfarë merren fëmijët e tyre, më kë shoqërohen i mbron ata nga rreziqet që përmendëm më lart. Fëmijët duhet të dinë se cila janë aspektet që i përkasin dhe kë dinë të bëjnë më mirë. Këtë ia tregojnë prindërit, shkolla, pra sesi të veprojnë e të përballen.
Dhe së fundmi, a zbeh komunikimi virtual atë real te fëmijët?
Koha që kalon fëmija me lundrimin në internet qoftë për informacion apo për të kaluar kohën, bën që ata të shprehen dhe të komunikojnë më pak për nevojat e vështirësitë që kanë në jetën shkollore e shoqërore, por edhe familjare gjithashtu. Jeta në komunitet sot nuk i ka lënë fëmijëve të gjejnë argëtimin jashtë e të socializuar me bashkëmoshatarët e tyre, por i ka krijuar mënyra në të cilat t’i paguajnë këto aktivitete, ku jo të gjithë e kanë këtë mundësi. Nga kjo kuptojmë sesi veçohen fëmijët e stigmatizohen ata sipas nivelit ekonomik, ku nuk i bën të ndihen mirë. Përpos kësaj, frikërat që fëmijët të luajnë jashtë janë të shumta, lidhur edhe me vështirësitë e mungesës së hapësirës dhe lëvizjes së makinave vend e pa vend dhe rrugicë pas rrugice. Fëmijët i janë drejtuar botës virtuale, pasi sot familjarët shqiptarë e kanë atë të mundur në shtëpitë e tyre. Prindër duhet të dinë që fëmijët e tyre janë duke u rritur dhe teknologjia ka aspektet e saj pozitive e negative. Nuk ju kërkohet që t’i izoloni nga ky avancim, pasi është e pamundur që të përjashtosh fëmijën nga realiteti, por mund t’i rrini afër dhe të keni akses për veprimet e tyre. Ndiqeni për së largu dhe afrojuni, kur kuptoni se fëmija juaj po ju thërret. Lundrimi në internet është thjeshtë një e shkëputur, por rëndësia dhe dashuria e vërtetë qëndron tek prindërit.