Interkulturaliteti i një mendimtari universal

Bardhyl Zaimi
  • Universalja dhe partikularja (kombëtarja) te Samiu janë esencë e vetë jetëshkrimit të tij, një jetëshkrim që i shkrin këto dy dimensione në një mision të vetëm, afirmimin e identitetit shqiptar. Për ta kuptuar në thellësi figurën dhe misionin e Sami Frashërit, universalitetin e tij dhe kontributin në kulturën turke dhe shqiptare, patjetër duhet ta kemi parasysh një figurë tjetër markante dhe universale të kësaj periudhe, Hoxhë Tahsinin. Gjithsesi, figura e Sami Frashërit nuk mund të shihet jashtë konceptit modernist të kohës, jashtë dimensionit universal, gjegjësisht jashtë interaksionit me kulturat tjera, sidomos me kulturën franceze.
  • Shkruan: Bardhyl Zaimi
  • Rilindja Kombëtare përfaqëson një ndër periudhat më prodhimtare, më sublime, të mendimit shqiptar. Rilindja Kombëtare përfaqëson paradigmën e rizgjimit kulturor dhe shpirtëror të shqiptarëve, formësimin e një patriotizmi dhe nacionalizmi që do t’i japë qenësisë shqiptare dimensionet më të thella të identitetit në një kontekst tepër të vështirë atakimesh nga të gjitha anët. Dhe, siç dihet tashmë, në funksion të zgjimit kombëtar, në funksion të ndërlidhjes së sentimenteve më të thella të identitetit shqiptar, do të jenë emra të njohur të kësaj periudhe, të cilët me dijen e tyre, me këmbënguljen dhe me shpirtin e sakrificës, do të hapin një kohë tjetër për shqiptarët, kohën e emancipimit kombtarist, kohën e shpërfaqjes së një universi simbolik që do të ngjizet si një substancë e përtejkohshme në atë që përfaqëson identiteti shqiptar, në atë që përfaqëson përpjekja shekullore e shqiptarëve për të kultivuar identitetin e veçantë, por edhe për të themeluar shtetin e mëvetësishëm shqiptar në kohën kur tashmë Perandoria Osmane po zbehej dhe ishte drejt një fundi të padiskutueshëm. Pikërisht në këtë kontekst të ndërlikuar, kur skena ndërkombëtare po pësonte ndryshime të vazhdueshme, figura të jashtëzakonshme të mendimit shqiptar, me përgjegjësi të plotë kombëtare do t’i rrokin këto vibrime gjeopolitike, do ta kuptojnë thellësisht këtë kontekst të ri, që tashmë po shpërfaqte para shqiptarëve shumë të panjohura për fatin e tyre. Janë këto mendje që edhe brenda Perandorisë Osmane dhe në një kontekst më të gjerë europian dhe botëror po e kultivonin me ngulm idenë shqiptare, gjithë atë univers simbolik shqiptar, në të cilin gjuha shqipe, emancipimi shqiptar, merrnin përparësi urgjente. Ata po vepronin brenda Perandorisë Osmane me shumë inteligjencë dhe këmbëngulje, me shumë dashuri për gjuhën dhe kulturën shqiptare, për gjithë atë univers të lashtë shqiptar, që tashmë ngadalë po shpërfaqej me gjithë praninë e vetë historike, me gjithë forcën e një vullneti historik të atakuar gjatë tërë kohës nga forca obskurantiste.
  • Hemisferat komplementare të Samiut
  • Në një kontekst të këtillë ndërvarësish dhe diferencimi identitar, në një kontekst pikëpyetjesh të shumta, në Stamboll, në kryeqendrën e Perandorisë Osmane, tashmë vepronte një shoqëri letrare shqiptare, e cila e kishte marrë në dorë fatin e gjuhës shqipe, të botimit të librave shqip, por edhe të formësimit konceptual të idesë së shtetit të pavarur shqiptar dhe të veçantisë së popullit shqiptar. Vëllezërit Frashëri, Naimi, Abdyli dhe Samiu, secili në mënyrën e vet, por bashkërisht të lidhur për idenë e njëjtë të kauzës shqiptare, po rizgjonin nga letargjia shekullore një komb të tërë. Në kohën kur anembanë botës figura të njohura të Rilindjes Shqiptare po shpërfaqnin impulset e zgjimit kombëtar, roli i Sami Frashërit mbetet i pazëvendësueshëm në afirmimin e gjuhës dhe të identitetit shqiptar brenda Perandorisë Osmane. Për shkak të jetëshkrimit të tij, kultivimit si intelektual, fillimisht në gjimnazin Zosimea, ku kishte mësuar disa gjuhë të huaja dhe pastaj në shkollat më prestigjioze të Perandorisë Osmane, si shtetas i kësaj perandorie, Sami Frashëri tashmë ishte shndërruar në një figurë të respektuar edhe për kulturën e turke edhe atë shqiptare. Te figura e tij gërshetoheshin dy hemisfera gjuhësore, por në esencë ai mbetej një modernist dijeshumë, që në agoninë e dukshme tashmë të Perandorisë Osmane po kultivonte idenë e diferencimit të gjuhës turke dhe identitetit turk si dhe të gjuhës shqipe dhe identitetit shqiptar, dy dimensione mendimi që përftoheshin nga periudha e Tanzimatit, gjegjësisht e reformave brenda Perandorisë Osmane dhe që nënkuptonte përbrendësimin e koncepteve tjera moderne mbi identitetin, kombin, zhvillimin dhe emancipimin në sinkron me konceptet europiane të pas-Revolucionit Francez. Pikërisht në suaza të këtij koncepti modernist duhet të shihet edhe figura e Sami Frashërit, një emër që realisht përfaqëson konceptin e interkulturalitetit, të kontributit të tij edhe për kulturën turke edhe për kulturën shqiptare. Pa diskutim, ky kontribut i jashtëzakonshëm në gjuhën dhe kulturën turke dhe në atë shqiptare është komplementar, gjithnjë nëse kemi parasysh që Sami Frashëri përfaqësonte një mendje moderniste, një iluminist të vërtetë, që kërkonte të kultivojë koncepte të tjera shumë më të avancuara brenda Perandorisë Osmane. Universalja dhe partikularja (kombëtarja) te Samiu janë esencë e vetë jetëshkrimit të tij, një jetëshkrim që i shkrin këto dy dimensione në një mision të vetëm, afirmimin e identitetit shqiptar brenda Perandorisë Osmane, në një kontekst tepër të paparashikuar kur fqinjët kërkonin të zhvatnin sa më shumë nga tokat shqiptare.
  •  Hoxhë Tahsini, gjeneza dhe modeli i universalitetit
  •  Për ta kuptuar në thellësi figurën dhe misionin e Sami Frashërit, universalitetin e tij dhe kontributin në kulturën turke dhe shqiptare, patjetër duhet ta kemi para sysh një figurë tjetër markante dhe universale të kësaj periudhe, njeriun që i hapi udhë këtij kultivimi dhe momentumi universal dhe interkulturor brenda Perandorisë Osmane. Figura e Hoxhë Hasan Tahsinit mbetet gjithashtu një figurë e jashtëzakonshme e këtij koncepti modern brenda Perandorisë Osmane. Në një shkrim të tij mbi Hoxhë Tahsinin, Mehdi Frashëri e përshkruan gjerësisht jetëshkrimin e tij. Mes tjerash, ai thekson se “në kohën e sulltan Mexhitit, kur vezir i madh ishte Reshit Pashai, ky i fundit për të ngjallur një jetë kulturore europiane brenda Perandorisë kishte menduar që nxënës nga medresetë të zgjedhur të dërgoheshin në Francë për të studiuar. Pavarësisht që ideja ishte që të dërgonin më tepër nxënës, në fund ishin dërguar vetëm tre, mes të cilëve edhe Hoxhë Tahsini. Sipas Mehdi Frashërit, Hoxhë Tahsini do të regjistrohet në degën e shkencave fizike dhe natyrale në Universitetin e Parisit. “Hoxha ndenji 16 vjetë në Paris dhe nat’ e ditë merrej me studime tuke vazhduar në institute shkencore të nalta. Si u këthye në Turqi Hoxha u-emërua Drejtor u Universitetit që do të çelej për herë të parë në Stamboll”, shkruan Mehdi Frasheri, i cili në këtë shkrim mbi Hoxhë Tahsinin thekson edhe reflektimin që kishte Sami Frashëri mbi patriotizmin e tij, mbi fatin e shqiptarëve. Mehdi Frashëri shkruan se Sami Frashëri i kishte thënë: “I ndjeri Hoxhë ishte një nga ata njerëzit e mëdhenj të cilët rrallë i nxjerrin shekujt”.
  • Pikërisht nga këto vlerësime dhe shumë reflektime të tjera që na i sjellë Mehdi Frashëri, mund ta kuptojmë se Sami Frashëri e çmonte lart figurën e Hoxhë Tahsinit, i cili do të mbetej për të një model shpirtëror dhe dijeje. Me sa mund të kuptohet, kultivimi i intelektual i Sami Frashërit i dedikohet pikërisht figurës së Hoxhë Tahsinit, i cili po mbrunte në atë kohë në Perandorinë Osmane një botëshikim tjetër mbi gjërat përkundrejt, siç thotë Mehdi Frashëri, forcave “obskurantiste”. Në fakt, trajektorja intelektuale dhe botëkuptimore e Sami Frashërit ngjizet mbi substancën e hapur dhe interkulturore të Hoxhë Tahsinit, i cili po sillte në Stambollin e atëhershëm përvojën dhe konceptet moderne franceze, të dijës europiane, e cila shfaqej e re dhe në shumë raste e pakonceptueshme në mjediset e atëhershme.
  • Sigurisht, në konceptin e Hoxhë Tahsinit dhe, më pas, të Sami Frashërit, shtrihet një substancë moderne humane dhe universale, që në fakt do ta përfaqësojë gjithë punën dhe veprimtarinë e shumanshme të Samiut, por edhe të gjithë lagjes së intelektualëve shqiptarë që vepronin në Stamboll. Ky koncept bazohet në modernitetin perëndimor, në atë përpjekje për hapje të Perandorisë Osmane ndaj modelit europian, sidomos ndaj modelit francez të shoqërisë. Pikërisht, kjo lidhje me Francën, që mishërohet me figurën e Hoxhë Tahsinit dhe më pas me figurën e Sami Frashërit prodhon gjithë botëkuptimin human dhe universal të Shoqërisë Letrare të Stambollit ose, siç jemi mësuar ta dëgjojmë në formën e reduktuar, “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip”, në të cilën gravitonin emra më të njohur të Rilindjes Kombëtare. Pikërisht ky qerthull i mendjeve të përndritura do t’ia japë Rilindjes Kombëtare konstantat e emancipimit gjuhësor dhe identitar, gjithë ato dimensione të rizgjimit kombëtar brenda Perandorisë Osmane.
  • Sami Frashëri mbetet një ndër figurat kryesore të kësaj përpjekje, i cili duke qenë një modernist në esencë dhe duke i njohur konstelacionet brenda Perandorisë dhe duke e njohur realitetin shqiptar, me shumë urtësi promovon rrugën e emancipimit të përgjithshëm, të arsimimit dhe të diferencimit të etnisë shqiptare, gjegjësisht identitetit shqiptar, si një shfaqje historike, si një mundësi pavarësimi dhe si ide shtetndërtimi, dimensione të cilat ai gjerësisht do t’i trajtojë në veprën “Shqipëria ç´ka qenë, ç´është e ç´do të bëhet”, të botuar pas vdekjes së tij në Bukuresht.
  • Ambiguiteti si normalitet
  • Siç dihet tashmë, Sami Frashëri ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm edhe në gjuhën dhe kulturën turke. Mes kontributeve të tij për kulturën turke veçohet enciklopedia në gjashtë vëllime “Kamusu’l-Alam” (“Enciklopedia e botëve”), e cila është një enciklopedi e historisë dhe gjeografisë. Është gjithashtu enciklopedia e parë në turqisht dhe ndër të parat në nivel europian dhe botëror.
  • Sami Frashëri gjithashtu hapi shtigje të reja në letërsinë turke duke shkruar e botuar romanin e saj të parë, “Dashuria në mes Talatit dhe Fitnetit”. Ai nuk do të njihet vetëm si themelues i romanit turk, por dhe si një nga pionierët e parë të dramaturgjisë së këtij vendi. Kështu, ai do ta shkruajë dramën “Besa”, një vepër me subjekt shqiptar, e cila u shfaq në Teatrin Kombëtar dhe i bëri jehonë të gjerë popullit të tij, karakterit dhe virtyteve të shqiptarëve.
  • Gjithashtu në kuadrin e kolanës “Biblioteka e xhepit”, Sami Frashëri do t’i japë lexuesit vepra të zgjedhura, të përkthyera nga letërsia e kultura botërore, siç janë “Antologjia e poezisë persiane dhe arabe” dhe Antologjia tjetër me tregime të Lindjes dhe Perëndimit, midis të cilëve shquhen emrat e Volterit, Rusoit, A. Dymait etj. Në fushën e përkthimeve Samiu do të përkthejë në turqisht i romanit “Të mjerët” të V. Hygoit, “Robinson Kruzo” të D. Defoes etj. Samiu do të njihet edhe për përpilimin e fjalorëve, në fushën e leksikografisë turke, por edhe në fushën e kritikës letrare.
  • Samiu mbetet një figurë shumëdimensionale, një mendje e rafinuar e dijes universale. Interkulturaliteti i tij mbetet një vlerë e shtuar, komplementare me idenë kombtariste dhe me gjithë atë planimetri shkencore që ndërtoi në afirmimin e identitetit shqiptar.
  • Bülent Bilmez, në studimin e tij “Shemseddin Sami Frasheri (1850-1904): Contributing to the construction of albanian and turkish identities”, thekson se Samiu ishte, para së gjithash, një modernist, i cili i konsideronte si instrumentale projektet e tjera (të vogla) që synonin ndërtimin e një identiteti kolektiv modern brenda një shoqërie moderne (të civilizuar). “Ky identitet mund të jetë ose etno-kombëtar ose fetar (islamik) ose perandorak (osmanizëm). Dy të fundit mund të duken se janë një vazhdimësi e identiteteve tradicionale (dhe të paqarta) kolektive; Megjithatë, ato u menduan si identitete moderne të ndërtuara nëpërmjet dhe/ose riformimit të elementeve tradicionale kohezive. Identiteti etno-kombëtar (d.m.th., “kombi”), nga ana tjetër, ishte identiteti ideal kolektiv modern i ndërtuar në tërësi me përdorimin e elementeve kohezive të sapozbuluara ose të shpikura, si gjuha e përbashkët, miti i prejardhjes së përbashkët etj”, thekson Bilmez-i. Sipas shumë intelektualëve modernistë si Samiu, thekson Bilmez-i, kombi modern ishte forma më e zhvilluar (e civilizuar) e shoqërisë njerëzore, një “identitet kombëtar” ishte identiteti kolektiv ideal dhe “shteti kombëtar” ishte ideali politik, ekonomik dhe kornizë kulturore për Sami Frashërin.
  • Pikërisht në kuadër të këtij koncepti nacionalist të Sami Frashërit, në idetë e tij kombëtariste, shtrihet edhe ambiguiteti i tij, gjegjësisht kontributi i tij për identitetin shqiptar dhe turk, pa krijuar ndonjë çarje në elaborimin e gjërave, përkundrazi gjithnjë duke afirmuar idetë identitare, si për shqiptarët, ashtu edhe për turqit dhe që në fakt ishin në formësim e sipër brenda konceptit perandorak. Dhe, ky koncept bazohej në idetë europiane mbi kombin, ndërsa ky fakt e bën Sami Frashërin intelektual vizionar me zgjidhje në dobi të popullit shqiptar dhe turk.
  • Nuk ka dilema që Sami Frashëri, për më tepër, mbetet ideologu kryesor i Rilindjes Shqiptare, intelektuali shumëdimensional, që dha një kontribut të jashtëzakonshëm në gjuhësinë dhe kulturën turke dhe sidomos atë shqiptare. Një intelektual i formësuar me konceptet më moderne të kohës në kuadër të Perandorisë Osmane, por edhe një mendimtar i jashtëzakonshëm që merr pjesë në dijen universale dhe në një koncept interkulturaliteti që më vonë do të definohet dhe do të njihet si një mundësi për dialog mes dy e më tepër kulturave, gjithnjë duke respektuar identitetet e veçanta të secilës kulturë. Jorastësisht edhe Faik Konica, që do të ketë përplasje konceptuale me Samiun, nuk do të hezitojë të theksojë se Samiu ishte  “një mëmdhetar i thellë që e kapërcen Spinozën”. /revistashenja