Interi ka arritur një fitore të vështirë në një ndeshje dramatike ndaj Veronas.
Zikaltrit triumfuan 2:1 në kuadër të javës së 19-të në Serie A për ta ruajtur kreun e tabelës.
E ndeshja i kishte të gjitha, gola, kartonë të kuq e penallti.
Dueli nisi mirë për vendasit që arritën të kalonin në epërsi pas 13 minutave lojë
Ishte Lautaro Martinez që shënoi pas asistimit nga Mkhitaryan..
Me rezultatin 1:0 u mbyll pjesa e parë.
Në minutën e 49-të, Lautaro Martinez shënoi sërish, por goli u anulua nga sistemi VAR për shkak të pozicionit jashtë loje.
Verona arriti të barazonte rezultatin në minutën e 74-të kur Thomas Henry realizoi.
Në minutën e katërt shtesë, Frattesi riktheu epërsinë e Interit.
Pas rishikimit me VAR, goli qëndroi, kurse Lazovic i Veronas u ndëshkua me karton të kuq për shkak të sjelljeve josportive.
E në minutën e 10-të shtesë, Verona e fitoi një penallti.
Por, Henry goditi shtyllën, për të humbur mundësinë ta fitonte një pikë nga kjo përballje.
Me këtë fitore, Interi tani shkon në kuotën e 48 pikëve në vendin e parë, pesë më shumë se Juventusi që ka një ndeshje më pak të luajtur.
Në anën tjetër, Verona mbetet në pozitën e 18-të me 14 pikë të grumbulluara.