Marcus Thuram ka qenë heroi i Interit në fitoren 3:2 ndaj Torinos të shtunën.
Në ndeshjen e vlefshme për xhiron e shtatë në Serie A, Interi për pak sa nuk u befasua nga torinezët që e luajtën ndeshjen me një lojtar më pak nga minuta e 20-të, kur mbrojtësi Guillermo Maripan u ndëshkua me të kuq.
Pas kësaj, filloi shkëlqimi i Thuramit në “Giueseppe Meazza”. Francezi shënoi dy gola për dhjetë minuta. Fillimisht për 1:0 shënoi në minutën e 25-të e më pas dyfishoi rezultatin në minutën e 35-të.
Duvan Zapata i mysafirëve ngushtoi rezultatin në minutën e 36-të.
Në pjesën e dytë, Thurami kompletoi “hat-trickun” kur shënoi në minutën e 60-të. 27-vjeçari tani është golashënuesi më i mirë i kampionatit me shtatë gola, aq sa ka edhe Retegui i Atalantas.
Torino nuk u dorëzua dhe ngushtoi rezultatin edhe një herë. Nikola Vlasiq shënoi nga penalltia në minutën e 86-të.
Mërgim Vojvoda luajti te Torino nga minuta e 62-të. Për Kristjan Asllanin nuk pati minuta tek Interi.
Interi ka 14 pikë në vendin e dytë, kurse Torino e gjashtë tubon 11 pikë.