Interi nuk ka mundur të zgjedhë mënyrë më të mirë për të festuar titullin e 20-të në Serie A.
Interi e siguroi titullin e kampionit të Italisë për edicionin 2023/2024 me fitore ndaj rivalit lokal, Milanit, të hënën mbrëma. Sikur kjo të mos mjaftonte, Milani ishte vendas dhe kështu Interi festoi titullin para tifozëve të rivalit të madh lokal.
Interi e Milani deri të hënën mbrëma kishin nga 19 tituj kampioni të Italisë. Të dy skuadrat në 16 raste ishin nënkampione. Tani Interi shkëputet në pozitën e dytë të skuadrave më të suksesshme italiane me 20 tituj. Milani mbetet i treti me 19 tituj. Interi titullin e kaluar e kishte fituar në vitin 2021, ndërsa Milani një vit më pas. Vjet kampion ishte Napoli.
Juventusi, që ka plot 36 tituj, së fundi ka fituar “Scudetton” në vitin 2020.
Interi e fitoi 2:1 ndeshjen e xhiros së 33-të të kampionatit italian. Francesco Acerbi shënoi për 1:0 në të mirë të Interit në minutën e 18-të. Asistues ishte Benjamin Pavard. Me rezultatin 1:0 përfundoi pjesa e parë. Në momentin më të mirë, në fillim të pjesës së dytë, Interi e shënoi golin e dytë. Marcus Thuram realizoi në minutën e 49-të.
Milani, i përkrahur fuqishëm nga tifozët, u kthye në lojë në minutën e 80-të. Për 2:1 realizoi Fikayo Tomori. Por kuqezinjtë nuk arritën të bënin më shumë, përkundër përpjekjeve.
Interi i ka 86 pikë në pozitën e parë. Milani është i dyti me 69 pikë. Deri në fund kanë mbetur edhe pesë xhiro dhe skuadra e Simone Inzaghit tashmë është e paarritshme.