Ditët e kaluara u bënë skenë e një tensionimi të rrufeshëm ndërmjet Ankarasë dhe Bagdadit në lidhje me praninë ushtarake turke në Irak dhe rolin, që ajo duhet të ketë në operacionin për çlirimin e Mosulit nga pushtimi i organizatës terroriste DAESH. Për momentin, palët duket se kanë bërë reciprokisht ndryshime në qëndrimet e tyre dhe kjo mundësoi një terren pajtimi, që aktualisht ka shumë gjasa që të jetë i përkohshëm. Sipas gjendjes momentale, ushtria turke nuk do të hyjë në Mosul dhe Bagdadi nuk do të nxjerrë probleme sa i përket pranisë ushtarake të Turqisë në atë zonë. Po ashtu, siç është prononcuar vetë Kryeministri irakian, Haider al-Abadi, në Mosul s’do të hyjnë as milicët e Forcave të Mobilizimit Popullor (PMF/Al-Hashd al-Shaabi), që kundërshtohen fuqimisht nga popullsia sunite në shumicë përreth Mosulit. Megjithatë Bagdadi zyrtar dhe koalicioni ndërkombëtar nën udhëheqjen e SHBA-së kanë pranuar që në operacion të marrin pjesë milicët e grupit sunit Arabët për Mobilizim Kombëtar (Al-Hashd al-Watani), formuar nga popullata vendase dhe trajnuar nga Turqia.
Në anën tjetër, kanë filluar edhe vizitat e ndërsjella të delegacioneve, që janë formuar mes qeverisë së Turqisë dhe asaj të Irakut. Sipas një deklarate të Kryeministrit Binali Yildirim në lidhje me këtë çështje, palët kanë rënë dakord që avionët luftarakë turq të mbështesin nga ajri operacionin për çlirimin e Mosulit. Sakaq, Turqia mori ftesë për pjesëmarrje edhe në takimin e Parisit për të ardhmen e Mosulit.
Reagimet e Ankarasë zyrtare për të mos mbetur jashtë ekuacionit në operacionin e Mosulit u keqinterpretuan qëllimisht nga disa qarqe. Ngjarjet nuk kanë të bëjnë aspak me aspiratën e pretenduar të Turqisë, si trashëgimtare e Perandorisë Osmane, për të shtrirë dominimin e saj në rajon.
Qoftë në aspektin humanitar, qoftë dhe në atë të sigurisë, Turqia e ka të pamundur të qëndrojë spektatore, të mos reagojë dhe të mos veprojë përballë luftërave civile në Irak e Siri. Duke qenë se ndan një vijë kufitare shumë të gjatë me këto dy vende, Turqia ka një farë ndjenje vetimponimi për të mbajtur qëndrime të caktuara në lidhje me të ardhmen e këtyre vendeve, që rrjedhimisht ndikojnë gjithashtu ardhmërinë e saj. Dhe është pikërisht ky detyrim ai që e shtyn Turqinë për të mos munguar në terren kur bëhet fjalë për operacionin e Mosulit.
Kjo gjë duhet pranuar: Mosuli ka një tipar me rëndësi shumë të madhe për Turqinë, e cila është detyrimisht e ndjeshme për të ardhmen e Mosulit në këtë periudhë të ritrajtësimit të Lindjes së Mesme. Vakumi pushtetar, që ka shumë gjasa të shfaqet pas operacionit për çlirimin e Mosulit, është një çështje me peshë madhore, e cila e shqetëson me të drejtë Turqinë dhe jo pak. Mjaft e rëndësishme në këndvështrimin e Turqisë është edhe ajo se cili do të jetë elementi dominues si administratë dhe forcë përgjegjëse për sigurinë në Mosul. Po ashtu as që mund të flitej për vijimësinë e një pozicioni pasiv kundër hapjes së një hapësire më të madhe për PKK-në, një organizatë terroriste me rëndësi qendrore në problemin e sigurisë së Turqisë që prej viteve 1980.
PKK-ja ka instaluar një qeverisje faktike dhe ushtarake në qytetin Shengal (Sinjar), në pjesën perëndimore të Mosulit, një situatë kjo që shkakton natyrshëm kokëçarje dhe shqetësim për Turqinë. Organizata terroriste në fjalë po përpiqet të krijojë një fushë influence, që shtrihet nga Iraku deri në zonën e kontrolluar prej PYD-së në Siri, duke mobilizuar popullsinë vendase të Shengalit. Shqetësimi bazë i Turqisë është mbushja e zbrazëtirave autoritare, që do të krijohen në Irak, nga organizata terroriste të tjera të ngjashme me PKK-në dhe DAESH-in. Qendra e Shengalit u çlirua nga pushimi i DAESH-it, por Bagdadi nuk ka vendosur ende plotësisht kontrollin dhe autoritetin e tij në këtë zonë. Prandaj Turqia, duke marrë parasysh edhe zhvillimet aktuale në vendbanimet e tjera të çliruara nga pushtimi i DAESH-it, nuk dëshiron aspak që një situatë e ngjashme me këtë të shfaqet edhe në Mosul. Rrjedhimisht kërkohet që të mbrohet sa më shumë të jetë e mundur struktura sociale dhe ekuilibri politik në Mosul. Efektet negative të zbatimeve dhe praktikave të gabuara e represive të periudhës së ish-kryeministrit Nouri al-Maliki mbi popullatën sunite të Irakut, sikurse në qytete të tjera të vendit, ishin vendimtare edhe për fuqizimin e DAESH-it në Mosul. Kjo është arsyeja që Ankaraja zyrtare vlerësoi si të papërshtatshme dhe kundërshtoi praninë e milicëve të Al-Hashd al-Shaabi në mesin e forcave, që do të hyjnë në Mosul. Mirëpo situata në fjalë e thelloi akoma më shumë vijën e thyerjes aktuale. Konfliktet e reja etnike dhe sektare, të cilat mund të shpërthejnë në Mosul, ka jo pak gjasa që të thellojnë e shumëfishojnë edhe më tepër problemet ekzistuese jo vetëm në Irak, por edhe më gjerë në rajon.
Një tjetër çështje, që i jep më shumë rëndësi operacionit të Mosulit, është rritja e influencës iraniane në Irak dhe efektet e saj mbi politikat e Bagdadit. Kjo gjendje e shtyn Ankaranë që të bëjë hapa për të ruajtur ekuilibrin rajonal. Dhe, si rezultat i natyrshëm i gjithë këtyre zhvillimeve, është formuar një terren partneriteti i ri mbi shqetësimet e përbashkëta ndërmjet Turqisë, qeverisjes rajonale kurde në veri të Irakut dhe arabëve sunitë.
Mjerisht, armiqësia sunito-shiite, produkt i politikave të gabuara amerikane pas pushtimit të Irakut në vitin 2003, aktualisht është përshkallëzuar jashtë mase në këtë vend. Në këto rrethana, çështja se kush do të jenë “çlirimtarët” e Mosulit bart rëndësi madhore. Prandaj s’duhet të neglizhohen kurrsesi ato çfarë kanë bërë në të kaluarën disa elementë në radhët e milicisë shiite të Forcave të Mobilizimit Popullor në qytete të tjera të Irakut. Me të drejtë dhe Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka vënë theksin mbi këtë situatë.
Dihet botërisht që Al-Hashd al-Shaabi ngrihet në rend të ditës jo rrallëherë për sulme kundër civilëve, që largohen nga qytetet apo vendbanimet e rrethuara për çlirimin e tyre nga pushtimi i DAESH-it. Sipas një deklarate të guvernatorit të provincës Al-Anbar pak kohë më parë, dhjetëra civilë janë vrarë nga këta milicë gjatë procesit të çlirimit të qytetit Al-Fallujah nga DAESH-i, ndërkohë që qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur dhe nuk dihet asgjë për fatin e tyre. Për të njëjtën gjë flet edhe një raport i publikuar më 9 qershor 2016 nga Komiteti për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut, sipas të cilit, Forcat e Mobilizimit Popullor në Irak janë përgjegjëse për shumë ekzekutime jashtëgjyqësore, tortura, zhdukje dhe trupa apo kufoma të copëtuara kafshërisht. Komiteti për Monitorimin e të Drejtave të Njeriut ka kërkuar gjithashtu që kjo strukturë të mos ketë rol në operacionin e Mosulit. Kurse organizata “Amnesty International”, përmes një raporti me 70 faqe të publikuar më datë 18 korrik, akuzon milicët shiitë për krime lufte.
Shumica dërrmuese e banorëve të qyteteve, që synohen të çlirohen nga pushtimi i organizatës terroriste DAESH, me të drejtë nuk donin dhe s’duan ende kurrsesi që të kenë të bëjnë me milicët shiitë të organizatës ombrellë Al-Hashd Al-Shaabi. Injorimi i gjendjes aktuale s’do t’i shërbente asnjë kauze tjetër veçse përshkallëzimit të tensionimit ndërsektar në rajon.
Të vlerësosh si një sukses ushtarak zbimin e DAESH-it nga Mosuli pas operacionit dhe të mjaftohesh vetëm me kaq nuk do jetë kurrë një zgjidhje. Kriteret dhe matjet e suksesit duhet të jenë patjetër politike. Ashtu si banorët e Fallujas nuk e konsideruan një çlirim me kuptimin e plotë të fjalës rimarrjen e qytetit të tyre nga qeveria qendrore pas pushtimit të DAESH-it, ashtu dhe shumica e banorëve të Mosulit nuk do ta bëjnë një gjë të tillë.
Në këtë kontekst, që banorët e Mosulit të ndihen të sigurt pas çlirimit të qytetit të tyre, s’ka asnjë alternativë tjetër përveç asaj që do t’u jepte njësive vendore përgjegjësinë e vendosjes dhe ruajtjes së rendit. “Çlirimi” i Mosulit nuk është e vetmja sprovë përballë qeverisë qendrore irakiane dhe aleatëve të saj. Bagdadi duhet me doemos të realizojë atë, që s’po arrin dot ta bëjë prej vitit 2003 e këtej. Dhe rruga e vetme për në këtë sukses kalon nga rifitimi i besimit të banorëve të Mosulit.
Shqipëroi: Hilmi Velagoshti – Gazetar në Departamentin e Transmetimeve të Jashtme, TRT, Ankara