Interesim i madh për t’u bërë pjesë e FSK-së, 5 mijë e 439 aplikantë në konkursin e fundit

Dy javë, ka qenë i hapur konkursi për rekrutët e rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Ky konkurs i hapur prej 10 deri me 21 gusht nga Ministria e Mbrojtjes ishte mundësi e mirë për shumë të rinj që të bëhen pjesë e FSK-së.

Të kontaktuar nga IndeksOnline, Ministria e Mbrojtjes, ka bërë të ditur se përgjatë këtij konkursi numri i përgjithshëm i kandidatëve, të cilët aplikuan për t’u bërë pjesë e FSK-së është 5 mijë e 439.

“Ministria e Mbrojtjes ka shpallur konkursin  për rekrutimin e rekrutëve të rinj të Forcës së  Sigurisë së Kosovës, i cili ka qenë i hapur nga 10.08.2020 deri me 21.08.2020. Numri i përgjithshëm i kandidatëve të cilët kanë aplikuar për t’u bërë pjesë e FSK-së është  5 439 aplikues”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Mbrojtjes.

Por, pavarësisht këtij numri të madh të kandidatëve për t’u bërë pjesë e Ushtrisë së Kosovës, në FSK do të pranohen përafërsisht 400 pjesëtarë.

“Numri i përgjithshëm i cili do të pranohet nga konkursi për rekrutimin e rekrutëve të rinj të FSK-së, mund të jetë përafërsisht 400 pjesëtarë”, kanë thënë në Ministrinë e Mbrojtjes.