Shërbimi i Inteligjencës Kanadeze të Sigurisë (CSIS) ka paralajmëruar se Kina dhe India mund të përpiqen të ndërhyjnë në zgjedhjet e përgjithshme të vendit që do të mbahen më 28 prill, transmeton Anadolu.
Sipas lajmeve në median kombëtare, zëvendësdrejtoresha e operacioneve të CSIS-së, Vanessa Lloyd, gjatë një konference për media u shpreh se shtetet në fjalë po përdorin gjithnjë e më shumë sisteme të bazuara në inteligjencën artificiale për të ndërhyrë ndaj zgjedhjeve.
Ajo tha se është shumë e mundur që Kina të përdorë mjete të inteligjencës artificiale për të ndërhyrë ndaj zgjedhjeve. “Ne kemi qenë gjithashtu dëshmitarë se qeveria indiane ka qëllimin dhe aftësinë për të ndërhyrë ndaj popullit kanadez dhe procesit të tij demokratik”, shtoi Lloyd.
Lloyd theksoi se ishte e mundur që edhe Rusia dhe Pakistani të ndërmarrin aktivitete të ngjashme kundër Kanadasë.
Kryeministri i ri i Kanadasë, Mark Carney njoftoi se do të shpërndajë parlamentin dhe se më 28 prill do të shkohet në zgjedhje të parakohshme.
Në fillim të vitit 2022, zyrtarët e inteligjencës në vend pretenduan se Kina financoi disa kandidatë përmes një rrjeti të fshehtë për të ndikuar në zgjedhjet parlamentare federale të vitit 2019. U pretendua se kryeministri i atëhershëm, Justin Trudeau u informua për aktivitetet në fjalë.