Gjigandi i teknologjisë Google ka njoftuar një marrëveshje për blerjen e reaktorëve të vegjël bërthamorë nga një kompani në SHBA, për të fuqizuar qendrat e saj të të dhënave.
Në një përpjekje të re për të fuqizuar qendrat e tij të të dhënave të inteligjencës artificiale me energji të pastër, Google është kthyer në energjinë bërthamore dhe ka nënshkruar një partneritet me Kairos Power me qendër në SHBA, i cili po zhvillon reaktorë të vegjël modularë (SMR).
“Sot, ne po nënshkruajmë marrëveshjen e parë të korporatës në botë për të blerë energji bërthamore nga reaktorë të shumtë të vegjël modularë (SMR), që do të zhvillohen nga Kairos Power”, tha Google në një deklaratë.
Reaktori i parë i tillë për të fuqizuar qendrat e të dhënave të Google pritet të jetë funksional deri në vitin 2030, i ndjekur nga vendosje shtesë të reaktorëve deri në vitin 2035, transmeton Telegrafi.
“Në përgjithësi, kjo marrëveshje do të mundësojë deri në 500 MW energji të re 24/7 pa karbon në rrjetet e energjisë elektrike të SHBA. Rrjetit i duhen burime të reja të energjisë elektrike për të mbështetur teknologjitë e AI”, shtoi Google.
Kjo është e mjaftueshme për të furnizuar me energji elektrike rreth 360 mijë shtëpi në vit.
Qendrat e të dhënave janë zemra e ekonomisë digjitale dhe konsumi i tyre i përgjithshëm i energjisë pritet të dyfishohet midis 2023 dhe 2028, duke arritur në 857 Terawatt orë (TWh) deri në fund të kësaj periudhe.
Kairos Power ka zhvilluar reaktorë të vegjël modularë që përdorin një sistem ftohjeje me kripë të shkrirë (në vend të ujit), duke premtuar kohë më të shkurtër ndërtimi dhe zgjidhje më të adaptueshme për nevojat e lokalizuara.
Teknologjia nuk është gati, megjithatë, marrëveshja shihet si një hap i rëndësishëm në zhbllokimin e rrugës drejt shkallës tregtare afatgjatë