Në dokumentin që gazeta “The Washington Post” ka siguruar nga inteligjenca, pretendohet se ushtria ruse do të nisë një ofensivë ndaj Ukrainës nga fronte të ndryshme që prej fillimit të vitit të ardhshëm.
Sipas këtij dokumenti, ku përfshihen edhe pozicionet e trupave ruse, Rusia do të tentojë pushtimin e Ukrainës me 175 mijë ushtarë.
Krahas topave të rinj dhe armëve të tjera të zjarrit indirekt, Rusia ka dislokuar po ashtu 50 njësi taktike në disa pika pranë kufirit me Ukrainën, thotë dokumenti i inteligjencës amerikane.
Ndërkohë që Ukraina pretendon se Rusia ka pozicionuar 94 mijë trupa në kufi, dokumenti i shërbimit informativ amerikan paralajmëron se numri i përgjithshëm i ushtarëve në batalionet taktike pranë kufirit ukrainas është rreth 70 mijë për momentin, shifër kjo që do të rritet në 175 mijë së afërmi dhe se Rusia dërgon e tërheq vazhdimisht trupat në vijën kufitare për të çorientuar objektivin.
Gjithashtu në dokument pretendohet se edhe përqendrimet e mëparshme të trupave ruse në kufi ishin stërvitje përgatitore për pushtimin e Ukrainës dhe se ushtria ruse mund të vazhdojë rrugën e saj duke lënë pas krahëve pajisjet trajnuese në pozicionet aktuale për të përshpejtuar okupimin.
Një zyrtar që ka folur për të përditshmen “The Washington Post” nën kushtet e anonimatit, pretendon se përqendrimi aktual i ushtrisë ruse është gati sa dyfishi i atij të kryer gjatë pranverës në kufirin e Ukrainës. /trt