Intel thotë se ka identifikuar shkaktarin e problemeve me stabilitetin të procesorëve të gjeneratës 13/14-të

Kompania konfirmoi se po punon për të lëshuar një përditësim të algoritmit për prodhuesit e pllakave amë në mesin e muajit Gusht dhe kushdo që ballafaqohet me probleme të tilla duhet të kontaktojë Intel.

Intel tha se ka gjetur burimin e problemeve me stabilitetin e sistemeve ndërtuar rreth procesorëve të gjeneratës së 13-të dhe 14-të. Përmes një përditësimi, Intel konfirmoi se problemet me stabilitetin vinë nga voltazhi i lartë dhe një përditësim do të vijë së shpejti për adresimin e tij.

“Kemi përcaktuar se voltazhi i lartë po shkakton probleme stabiliteti në procesorët e gjeneratës së 13/14-të për desktopët,” tha një punonjës i kompanisë në forumet e Intel.

“Analiza jonë zbulon se voltazhi i lartë është shkaktuar nga një algoritëm i gabuar.”

Kompania konfirmoi se po punon për të lëshuar një përditësim të algoritmit për prodhuesit e pllakave amë në mesin e muajit Gusht dhe kushdo që ballafaqohet me probleme të tilla duhet të kontaktojë Intel.

Prodhuesi i çipeve filloi hetimet në muajin Prill pasi mori raportime të shumta nga përdoruesit e Core i9-13900K dhe Core i9-1400K për dështime të video lojërave.

Gjer më sot as Intel as prodhuesit e pllakave amë nuk kanë ndërhyrë për të adresuar problemin. Por presioni në rritje javët e fundit nxiti një reagim të Intel.