Intel ka vendosur ti japë zgjidhje një problemi i cili vitet e fundit ka filluar të bëhet më shqetësues: ai i nxehtësisë dhe konsumit të lartë të energjisë prej procesorëve.
Procesorët e rinj flagship Core Ultra 200S dalin në shitje më 24 Tetor dhe janë të përqendruar tek performanca për vat dhe dukshëm më efikase sesa gjenerata e 14-të. Me emrin e koduar Arrow Lake S, janë procesorët e parë desktopë për entuziastët nga Intel që përfshijnë një NPU – ose njësi neurale përpunimi – për përshpejtimin e proceseve AI.
Në zemër të arkitekturës së re Arrow Lake është një përpjekje e madhe e Intel për të ulur konsumin e energjisë tek çipet e saj. Të dy gjeneratat, 13-të dhe 14-të, kishin etje të madhe për energji duke konsumuar më tepër sesa ekuivalentët e AMD.
Seritë e reja Core Ultra 200S përgjysmojnë konsumin e energjisë gjatë proceseve bazike ndërsa Intel pretendon se edhe në gaming janë ndjeshëm më efikase. Gjatë prezantimit Intel demonstroi lojën Assassin’s Creed Mirage me procesorin Core Ultra 9 285K dhe krahasuar me Core i9-14900K. Ultra 9 285K kishte performancë të njëjtë në mos më të lartë duke konsumuar 80-vat më pak.
Intel pretendon se procesori konsumon vetëm 58-vat në lojëra si Call ofDuty: Modern Warfare III, F1 24 dhe Total War: Pharaoh. Në disa raste ekstreme si Warhammer: Space Marines 2 Ultra 9 285K konsumonte 165W më pak se 14900K.
Kompania thotë gjithashtu se Core Ultra 9 285K operon në temperaturë 13 gradë më të ulët sesa 14900K gjatë gaming në 1080p duke përdorur një ftohës të lëngshëm 360mm. Ndërsa Intel do të kalojë në folenë e re LGA-1851 të procesorëve, të gjithë ftohësit ekzistues do të funksionojnë me të.
Intel ka përdorur teknologjinë 3D të paketimit me seritë Core Ultra 200S ndërsa madhësia është reduktuar me 33 përqind krahasuar me gjeneratën e 14-të. Janë bërë edhe disa ndryshime interesante me këtë paketim. Procesor flagship vjen me 24 bërthama dhe 24 threads dhe frekuencë maksimale prej 5.7Ghz. është një frekuencë më e ulët se ajo e 14900K si dhe ka 8 threads më pak, lëvizje të bëra për të rritur efikasitetin.
Ultra 9 285K do të ketë 8 bërthama performance (P-Cores) dhe 16 bërthama efikasiteti (E-Cores.) Procesori ka 36MB L3 Cache, 3MB L2 Cache për bërthamë P (nga 2MB që kishte gjeneratat e 14-të) dhe 4MB L2 Cache për bërthamë E.
Intel thotë se Ultra 9 285K është 8 përqind më i shpejtë sesa 14900K në proceset me një bërthamë dhe 15 përqind më i shpejtë në proceset me të gjitha bërthamat. Kompania ka ofruar edhe disa testime të kufizuara në gaming me Ultra 9 285K përballë Ryzen 9 9950X dhe Ryzen 9 7950X3D.
Siç duket procesori i ri i Intel do të konkurrojnë me variantin flagship Zen 5 të AMD por jo me modelin X3D të gjeneratës së kaluar. Intel po paraqitet tejet transparent për faktin se nuk ka procesorin më të mirë gaming në treg. Aktualisht kjo kurorë mbahet nga modeli Ryzen 7 7800X3D.
Megjithatë kompania thotë se mban kurorën e performancës në proceset e tjera kompjuterike përfshirë AI. NPU-ja e integruar ofron performancë 13TOPS, që do të thotë se procesorët e rinj nuk kualifikohen për funksionalitetet Copilot Plus që kërkojnë 40 TOPS.
Foleja e re LGA-1851 do të thotë se nevojitet një pllakë amë e re. Konkretisht do tu duhet një pllakë Z890 për procesorët Core Ultra 200S. Seritë e reja të pllakave amë ofrojnë mbështetje për 24 linja PCIe 4.0, deri në 8 porta SATA 3.0 dhe deri në 32 porta USB 3.2. platforma ofron mbështetje për 48 linja PCIe ku 20 prej tyre janë Gen 5. Vinë me Wi-Fi 6E dhe porta 1GbE, Bluetooth 5.3, dy porta Thunderbolt 5 në procesor por prodhuesit e pllakave amë mund të shtojnë opsione si Wi-Fi 7, 4 porta Thunderbolt 5, portë interneti 2.5GbE dhe Bluetooth 5.4.
Intel ka përmirësuar edhe mbështetjen e memories me Core Ultra 200S dhe pllakat amë Z890 duke mbështetur memorie RAM DDR5-6400 dhe deri në 48GB për DIMM. Kapaciteti maksimal RAM është 192GB. Për seritë e reja 800 nuk do të ketë memorie DDR4.
Mbetet për tu parë se për sa vite Intel do të mbështesë seritë e reja. AMD ka premtuar deri në 2027 për AM4 i cili ka debutuar dy vite më parë. LGA1700 është mbështetur 3 vite.
Çipet e reja janë në shitje prej 24 Tetor për 589 dollarë për Core Ultra 9 285K, 394 dollarë për Core Ultra 7 265K dhe 309 dollarë për Core Ultra 5 245K. /PCWorld Albanian