Prokurorja Sahide Gashi në rigjykimin e Lulzim Çitakut tha se ai u dërgua në dreka e darka për të mos shqiptuar dënime.
Në nisje të rigjykimit të Lulzim Çitakut, inspektorit të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale, prokurorja Sahide Gashi pretendoi se ka fakte për ta dënuar të akuzuarin.
Ajo deklaroi më tutje se dëshmitarët do të tregojnë për drekat e darkat që i dhanë Çitakut për të mos u shqiptuar dënime.
“Prokuroria posedon prova të mjaftueshme me të cilat do të vërtetojë fajësinë e të akuzuarit Çitaku dhe atë në bazë të përgjimeve dhe CD-ve si dhe dëshmive të dëshmitarëve të cilët e kanë dërguar të akuzuarin në dreka e darka për të mos shqiptuar dënime”, tha prokurorja Gashi.
Lulzim Çitaku akuzohet për marrje ryshfeti dhe keqpërdorim detyre, ndërsa Gjykata Themelore e Pejës në vitin 2015 e kishte shpallur të pafajshëm, por më pas Gjykata e Apelit çështjen e Çitakut e kishte kthyer në rigjykim.
Por në seancë, Mahmut Halimi, avokati i të akuzuarit, tha se nuk e di pse është kthyer në rigjykim kjo çështje.
“Nuk e di pse kjo çështje është kthyer në rigjykim, ndoshta Apeli nuk e ka lexuar fare arsyetimin e aktgjykimit”, tha Halimi./Insajderi/
Në seancë dëshmoi Bedri Elezaj, biznesmeni dhe i dëmtuari i këtij procesi që u dha ryshfet për t’i ikur një gjobe për shfrytëzim pa licencë të zhavorrit në separacionin e tij.
Elezaj tregoi se si ndodhi ngjarja.
“Lulzim Çitaku 10 ditë para ditës kritike erdhi në seperacionin tim dhe bëri disa foto, disa ditë më vonë me fotot e tij erdhi kryeinspektori Nuredin Bislimi i cili e plotësoi një procesverbal të cilin edhe e nënshkrova”, tha Elezaj.
Nuredin Bislimi, kryeinspektori i Minierave dhe Mineraleve ishte pjesë e procesit bashkë me Çitakun, por kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 10 muaj burgim dhe me 2.000 euro gjobë, si dhe me dënimin plotësues: ndalim i ushtrimit të detyrës në afat prej 3 vjetësh./Mesazhi/