Inspektorati Policor i Kosovës ka sqaruar arrestimin e tre zyrtarëve policor dhe një noteri.
Sipas IPK-së, në Viti më datën 7 të këtij muaji janë arrestuar një polic dhe një noter për keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit zyrtar, uzurpim i paligjshëm i pronës së paluajtshme dhe falsifikimi i dokumenteve të parapara në Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
“Arrestimit i kanë paraprirë veprimet hetimore disa mujore dhe informacioni i pranuar nga burimet e informacionit në terren lidhur me përfshirjen e togerit policor si të dyshuar në këtë rast, si dhe provave materiale që janë siguruar nga ushtrimi i kontrollit të banesës, apo objekteve tjera bazuar në një Urdhëresë të Gjykatës Themelore në Gjilan”, thuhet në komunikatën për media, përcjell Indeksonline.
Pas ndërmarrjes së disa veprimeve hetimore paraprake dhe me vendim të prokurorit të shtetit të dyshuarit, njofton komunikata, janë arrestuar dhe dërguar në Qendrën e Ndalimit në Gjilan ku u është caktuar masa e ndalimit policor për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.
Edhe operacioni tjetër, bën të ditur komunikata, është realizuar në datën e njëjtë (07.10.2016) në Prishtinë, ku IPK-ja ka pranuar një informatë se dy zyrtarë policorë dyshohet se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorim i Detyrës Zyrtare, marrje e ryshfetit dhe fshehje të provave”.
“IPK bazuar në informatën e pranuar i është përgjigjur menjëherë rastit duke ndërmarrë disa veprimeve hetimore paraprake që kanë përfshirë intervistimin e dëshmitarëve dhe të dyshuarve, konfiskimin e një veture etj.Për të gjitha veprimet është njoftuar prokurori kujdestar me vendim të të cilit dy të dyshuarve (zyrtarë policorë) u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, sqarohet tutje.
Të dyshuarit janë paraqitur para Gjyqtarit të Procedurës Paraprake, i cili në fund të seancës dy të dyshuarve ju ka caktuar nga 30 ditë paraburgim si një prej masave për sigurimin e prezencës së të pandehurit në procedurë penale.