INNE FIL XHENNETI NEHRUN | Ismail BARDHI

Allahu thotë: “… nëse e doni Allahun, ndiqeni Pejgamberin…”, ndërsa Pejgamberi a.s. ka thënë: “Po ju lë pas vetes dy gjëra të çmuara: Fjalën e Allahut dhe Ehl’i Bejtin”. … Koha jonë si duket është duke u harxhuar pa këtë dashuri, kurse kjo dashuri është ajo që e mban gjithë alemin.
Nëse e formulojmë këtë në formë pyetjeje, ajo do të ishte: çfarë ndodh me dashurinë ndaj Pejgamberit a.s. dhe familjes së tij; ndaj nipërve të tij, Hasanit dhe Husejnit radiAllahu anhum…?!
Besimtari i vërtetë e ka të ndaluar fenë pa dashurinë për profetët; atje ku nuk ka pejgamber, nuk ka as fe; atje ku nuk ka fe, ka mundim dhe ngushtim. Tamam siç jemi duke e përjetuar kohën e sotme: nuk kemi mundësi ta dallojmë fetarin nga jofetari, njeriun nga jonjeriu; rrena, mashtrimi, dyfytyrësia, vjedhja, shpërdorimi, pabesia, vlojnë… bash ashtu – vlojnë. Kemi filluar të themi: “sa më larg fetarëve”, dhe atë që përdoret shpesh te ne: “sa më larg tanëve”.
Shpeshherë lexojmë dhe dëgjojmë për dashurinë ndaj Pejgamberit a.s. dhe ndaj familjes së tij. Siç thamë, dashuria ndaj Pejgamberit a.s. është kërkesë e Zotit, ndërsa atë kemi mundësi ta quajmë edhe si shenjë diçkaje, shenjë e plotësimit të imanit për një besimtar ndaj hazreti Muhammed Mustafasë, a.s., dhe familjes së tij, respektivisht Imamëve Hasanit dhe Husejnit, radiAllahu anhum.
Rastin e këtyre dy Imamëve dhe familjes së Pejgamberit a.s., ne disi e kemi heshtur për hir të “dyfytyrësisë”.
Edhe kohëve të fundit disa vagabondë muslimanë mundohen ta “ringjallin” fitnen e mëparshme, dhe harrojnë se kjo është një çështje shumë e thjeshtë, por e domosdoshme: ta duam Pejgamberin a.s. dhe familjen e tij, përfshirë Imam Hasanin dhe Imam Husejnin, të cilët nuk janë pronë as e shiizmit, as e sunnizmit, as e maturidizmit e as e sufizmit, por imperativ për besimtarin. Fati tragjik i tyre disi tek ne muslimanët e Ballkanit ka dalë jashtë rrafshit të duhur.

Në esencë, të gjithë meritojmë dënimin e asaj që nuk kemi treguar dashurinë e plotë që Kur’ani thotë: “… nëse e doni Allahun ndiqeni Pejgamberin a.s.”, gjegjësisht duani Pejgamberin a.s. dhe familjen e tij. “Mistikët” kanë mbetur disi mes qiellit dhe tokës, të mashtruar tepër me “imagjinatat” e tyre lodhëse, po pse të mos thuhet edhe keqpërdoruese, që kulmin e ka te bektashinjtë shqiptarë, të cilët pandërprerë i përmendin emrat e Hasanit e Husejnit, por që aq shumë i hidhërojnë në shpirt këta figura më të dashura për ummetin musliman.

Keqpërdorimi i tyre bëhet sepse ata janë të rrethuar me një sinkretizëm fetar që as mendja, e as mësimet e shenjta nuk e durojnë, përpos “mësimeve” hipokrite, me një përkrahje plot cinizëm dhe armiqësi, dhe duke i akuzuar haptazi ehl-i sunnetin për heshtje. Kjo akuzë do të ishte me vend vetëm atëherë kur imani nuk largohet nga burimi i vet, nga mësimet e Muhammed Mustafasë, natyrisht nga mësimet e Kur’anit dhe të Sunnetit. Por meqë këto nuk i gjejmë në këtë drejtim “mistik”, atëherë krijohet dyshimi se këtu nuk kemi të bëjmë asgjë me thirrjen e Hirasë dhe me lartësinë e Miraxhit, ngaqë edhe njëra edhe tjetra paraqesin përmasat më të lartësuara të mësimeve të fesë islame.

Vërejtja e këtij grupi “mistik”, pavarësisht se a është “e plotë” dhe “e drejtë”, megjithatë neve si ehl-i sunneh na thërret të jemi të kujdesshëm ndaj kësaj çështjeje; a thua vallë ne jemi duke e kujtuar atë tragjedi të dhimbshme që e ka përjetuar familja e Pejgamberit a.s., duke filluar me Fatimetu Zehranë, me Imam Hasanin dhe Imam Husejnin, të cilët kanë qenë të rrethuar nga “armiqtë” po të të njëjtit drejtim, ku kulmi i kësaj është shehadeti i këtij të fundit me pasardhës të tjerë të Pajgamberit a.s. A nuk është kjo një çështje shumë e rëndë, e padurueshme për ne? Si është e mundur që “muslimani” të bëjë një akt të tillë? A ka justifikim për të? Jo! Më vjen keq që te ne kjo çështje, kjo tragjedi që nuk guxon të harrohet dhe të largohet nga mendja, nga sytë e muslimanëve, megjithatë është “harruar”, shpërfillur; ajo ngjarje dhe pamje e trishtueshme të cilën as shkronjat, as fletat e bardha nuk mund ta përshkruajnë dhe durojnë, për fat të keq ka ndodhur: janë masakruar të afërmit e Pejgamberit a.s. nga duart e “muslimanëve”, pa marrë parasysh a kanë qenë “munafikë”, a kanë qenë “halife” apo çfarëdo të kenë qenë. Sidoqoftë, kjo ka qenë haram i gjallë dhe nënçmim për tërë ummetin musliman: nipi dhe i dashuri që është rritur në prehrin e Pejgamberit a.s. është masakruar bashkë me familjarët dhe ithtarët e tij. E me këtë edhe Fatimenë, radija-Llahu anha, e lënduan edhe si nënë edhe si bijë e Pejgamberit, e të mos flas si anëtare e Ehl-i Bejtit.

Nëse këtë ngjarje do ta përshkruaja nga përvoja ime, do të thosha se ajo në hapësirën e muslimanëve, pa marrë parasysh kohërat e vështira që kemi kaluar, duke filluar që nga shkëputja nga Perandoria Osmane, pastaj ndërrimi i sistemeve të shumta, me komunizmin si një sistem kundër Zotit dhe feve, nuk është biseduar ashtu siç duhet. Po edhe nëse është biseduar, kjo është bërë në mënyrë sipërfaqësore. Por pse nuk është biseduar? Mund të them sepse e kam dëgjuar nga hoxhallarët e mëparshëm se duhej të ishim të kujdesshëm ndaj kësaj çështjeje. Ky incident i paharruar dhe shumë i rëndë për muslimanët, ka bërë që të vijë deri te ndarja e ashpër, gjegjësisht ndarje luftarake midis muslimanëve, si në drejtimin akaidologjik, ashtu edhe në drejtimin juridik islam, nën pretekstin se: “nuk ka nevojë ta akuzojmë Muavijen”. Kjo mënyrë e llojit të labirintin: “për hir të së vërtetës ta fshehim të vërtetën” nuk besoj se jep përgjigje të kënaqshme, jo vetëm në fjalë, por edhe në iman, gjegjësisht në zemër. Kjo ngaqë për hir të “mendimeve” gjegjësisht “nijeteve” të larta nuk mund të fshihet e vërteta; historia e muslimanëve nuk është histori e shkëlqyer, shikojeni vetëm se si ka kaluar institucioni i hilafetit, ka qenë më tepër problematik, sesa i është nënshtruar rregullave të hilafetit musliman. Halifetshpeshherë kanë marrë rolin negativ të llojit të xhelatëve, në vend të atyre që i plotësojnë kushtet e një përmase më të lartë të shenjtë, siç është hilafeti i Kur’anit dhe i Sunnetit të Pejgamberit a.s. Kjo nuk ka nevojë të fshihet, sepse është e ditur dhe e shkruar; po të mos kishte kështu, nuk do të ishim as ne si muslimanë kështu siç jemi. Ne nuk guxojmë të jemi pjesëmarrës në këtë padrejtësi; duhet të dihet e vërteta dhe të thuhet e vërteta, sepse kjo fshehje është duke e ngarkuar historinë e muslimanëve me ngarkesa që nuk kemi mundësi t’i durojmë. Kjo mënyrë e interpretimit kësisoj, fare nuk e dëmton Islamin, por dëshmon se Islami është fe e dhuruar nga Zoti, si shpëtim dhe udhëzim për ne, natyrisht, duke e pasur parasysh figurën e paprekshme të Pejgamberit a.s. dhe familjes së tij. Kjo është ngjashëm si ne sot që jemi të ballafaquar me “hilafetin” të cilit nuk i dihet as fillimi, as mbarimi, as burimi, as dreqi i gjallë e i vdekur, as nga vjen. E vetmja e vërtetë është se ky “hilafet” që mbështetet mbi terrorizëm, nuk është hilafetislam, e as Muhammedan, por është hilafet i pjellë nga forcat jomuslimane, e për fat të keq me përkrahje të liderëve “muslimanë”. Këtu nuk kam për qëllim ta diskutoj historinë e hilafetit dhe të halifeve, por kjo heshtja jonë a nuk është diçka e rrezikshme për imanin tonë dhe për dashurinë ndaj Pejgamberit a.s. dhe familjes së tij? Edhe kjo është si heshtja rreth vrasjes së pamëshirshme të nipit të Pejgamberit a.s., i cilët kanë qenë i vulosur me islamin, fëmijë i Xhennetit, gëzim i Pejgamberit a.s. Cili iman, cili islam mund të lejojë që për këtë të heshtet!?

Më kujtohet kur një motër muslimane boshnjake, e cila ishte për vizitë në hapësirën tonë mu në kohën kur binte dita e asaj tragjedie në historinë e muslimanëve, e ajo pa se pikërisht në këtë kohë te muslimanët bëhen ahengje të ndryshme, ndaj me habi tha: “Si është e mundur që ju në këtë kohë të bëni të këtilla gjëra, kurse mu në këtë kohë para shumë shekujsh ka ndodhur tragjedia më e madhe e muslimanëve, vrasja e Imamit Husejn?!?” Shpresoj që këtë lloj interpretimi dikush të mos e marrë në kuptimin se jam duke e bërë për hir të një drejtimi që ka qenë mjaft i dhimbshëm për historinë e muslimanëve, e ai është shiizmi apo shi’at. Jo, kjo s’ka të bëjë fare me këtë, sepse shi’at me rolin e tyre në dimensionin politik për çdoherë e kanë lodhur trungun e Islamit, por me imanin e muslimanëve i cili i kalon dimensionet mistike sunnite e shi’ite. Imani është ajo që neve duhet të na interesojë, sepse në të e kemi shpëtimin. Fatkeqësisht, neve të gjithëve ky fanatizëm i madh, për çdo ditë është duke na zbehur dhe duke na dobësuar, si për nga ana e mësimeve të fesë, po ashtu edhe nga ana e “mençurisë” njerëzore. Kësaj i thonë: ne jemi duke jetuar me fe, e pa fe, po ashtu me mend e pa mend; sa mundohet mendja t’i afrohet njërës, humb tjetra. Kjo është fotografia jonë. Për mua çështja kryesore është se nuk guxojmë ta harrojmë, e të mos na lotojnë sytë për këtë ngjarje të trishtueshme që është bërë po nga “muslimanët”.

Në një rast pranë Pejgamberit a.s. erdhi hazreti Omeri, r.a., dhe i tha: “O Pejgamber i dashur, me të vërtetë pas familjes time më tepër që dua njeri je ti dhe familja jote”. I Dërguari i Zotit i tha: “Omer, nuk e ke të plotësuar imanin; Allahu dhe unë duhet të jemi më të dashur për ty se gjithçka tjetër”. Pastaj vjen Omeri dhe i thotë: “O i Dërguari i Zotit, dëshmoj se dashurinë ndaj Allahut dhe ndaj teje nuk mund ta krahasoj me asgjë në këtë botë të krijuar. Ty të dua më tepër se çdo gjë”. Kjo dashuri imaniane është dashuria që nuk mund t’i nënshtrohet hapësirës së historicizmit, që i kapërcen dimensionet e historicizmit; ajo është të jesh ose të mos jesh musliman; ta duash Pejgamberin a.s., të të lotojnë sytë për Pejgamberin është shenjë e imanit; të ndjesh kënaqësi me hazreti Muhammed Mustafanë a.s. dhe familjen e tij është ndër dashuritë më të mëdha që mund të ekzistojnë. Isha duke e dëgjuar ilahinë inne fil Xhenneti nehrun… M’u rrëqeth trupi, m’u drodh zemra, mendja, kur e dëgjoja dhe kujtoja këtë tragjedi të madhe që i është bërë imamit të muslimanëve. Sa mirë që mendja dhe historia gjërat i “harrojnë”, i fshehin, përndryshe do të ishte diçka jofalëse për besimtarin.

Imani, besimi i muslimanit duhet të çlirohet nga prangat e kohës, dhe të librave të shumtë, të cilët me interpretimet e tyre janë duke na e mbushur mendjen me shumë gjëra, por pa dashuri ndaj fesë, ose me iman të zbrazur nga dashuria. Këtë zbrazëti në iman dhe në jetën tonë jemi duke e vërejtur në fjalorin tonë, në bashkëjetesën tonë familjare, fshatare, qytetare; më e vështira është se edhe në praktikimin e fesë ne jemi duke e “humbur” veten para tekbirit Ilahidhe para fjalës Kur’an, po ashtu edhe para emrit Muhammed Mustafa dhe familjes së tij. Kjo kur dihet se Islami në shfaqjen e vet, thirrjen e parë të vet e ka pasur “Allahu Ekber” dhe selamin, kurse ne sot të gjitha këto i kalojmë shkel e shko, pa e pyetur veten se a jam musliman i drejtë; a e kam islamin e plotë i cili i kapërcen dridhjet dhe frikët që i paraqet koha. Pa marrë parasysh vështirësitë që ekzistojnë, Islami si fe e Zotit nuk mund të mposhtet, por për ne pyetja është se si do ta kalojmë këtë “Islam” që është duke na munduar; është duke na munduar, sepse nga ky Islam ne jemi duke kërkuar forcë në këtë kohë, forcë në fjalë, forcë në sundim, forcë në jetë, por larg mësimit, larg dashurisë që prezanton Kur’ani. Kur’ani thërret pandërprerë në përkushtim të sinqertë ndaj Fjalës së Zotit dhe ndaj zbatimit të mësimeve të Pejgamberit a.s., me kusht që nëse eventualisht dëshirojmë ta përjetojmë lezetin e madh të imanit dhe të islamit, atë mund të gjejmë te dashuria ndaj Pejgamberit, ndaj Fatimesë, ndaj Hasanit, ndaj Husejnit.

Dashuria ndaj Pejgamberit a.s. dhe familjes së ti, te ne shqiptarët ka qenë pjesë jo vetëm e imanit, por edhe e kulturës dhe artit. Këtë dashuri e ka simbolizuar Mavludi, sidomos pjesa ku përshkruhet i çasti i lindjes së hazreti Muhammed Mustafasë a.s., ka qenë (them ka qenë, sepse për fat të keq kohëve të fundit nuk është), një ritual drithërues kur nga respekti të gjithë të pranishmit ngrihen në këmbë  dhe i shprehnin mirëseardhjen të Dërguarit të Zotit. Përpos kësaj, gjatë këndimit të Mevludit shërbehej edhe sherbeti nga trëndafili, bashkë me parfumin e tij. Kjo ishte diçka madhështore. Po ashtu, femrat që shkonin nuse si pjesë të çeizit të tyre kishin edhe levha të qëndisur me duart e tyre që përmbanin emrin e Allahut xh.sh. dhe atë të Pejgamberit Muhammed Mustafa a.s. Nuk kishte dhomë, shtëpi ku nuk mund të shihej ky emër në vendin më të dukshëm; nuk kishte fshat, qytet, shtet ku nuk mund ta dëgjonim emrin Ahmed Muhammed Mustafa a.s. E sot, edhe mevludet janë racionalizuar, edhe ligjëratat janë harxhuar, sepse si duket e kanë harruar fuqinë, zellin që sjell emri Muhammed së bashku me Ehl’i-Bejtin.

Ismail BARDHI,

Shkup.