Kosova, si shteti i vetëm në Europë pa gazetë, u habit kur PISA i tha se nga vendet e Ballkanit po e mbante fundin në lexim dhe ishte i turpi i vendeve të OECD-së si në lexim e matematikë, ashtu dhe shkencë. Nga shqiptarët kishte dhe reagime të ashpra jo ndaj gjendjes së krijuar në arsim por ndaj PISA-s. Por, ta vëmë gishtin në plagë!
Agim POPOCI, Mitrovicë
Rezultatet e Programit të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve “PISA 2022” nuk ishin rrufe në qiell të hapur për të gjithë vëzhguesit dhe kritikët e zhvillimeve në tokën shqiptare, për të gjithë ata që janë të ndërgjegjshëm dhe e pranojnë se niveli i arsimit është për toke dhe për të gjithë ata që kanë sy dhe shohin se çfarë përfaqësimi ka ky popull shqiptar si në parlamentin e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Malit të Zi! Dhe, çuditërisht, ky rezultat ishte më i pranueshëm vetëm për opozitarët në Kosovë, ata që kurrë nuk e thanë asnjë fjalë për arsimin, aq më pak për leximin, matematikën dhe shkencën, për të cilin flet rezultati më i ri i PISA-s, por u shërbeu t’i mbushin armët e tyre me të dhënat e këtij Programi të Vlerësimit Ndërkombëtar të Nxënësve, duke ngelur me kokat e tyre bosh për gjithçka që nuk bëri qeveria Kurti pa e kuptuar se çfarë duhet të bëjë në të ardhmen, me përjashtim të monopolit që vazhdojnë ta kenë – sindikatën si altoparlant që kërkon rritje rroge, ndonëse PISA flet për një nivel jashtëzakonisht shqetësues të arsimit!
Por ta vëmë gishtin në plagë pa na thënë PISA se Shqipëria në Ballkan është më mirë vetëm se Kosova, duke i thënë Kosovës, si e fundit në këtë renditje. se mund të vazhdojë të mburret me portalet mediokre dhe informacionin e shpejtë që merr duke përdor teknologjinë më moderne, duhet të fillojë ta respektojë thënien kapitale të njërit prej etërve themelues të Shteteve të Bashkuara, Benjamin Franklin: “Një gjeni pa arsim është si argjendi në një minierë!”.
Edhe pas analfabetëve, analfabetë!
Dija është fuqi! Shqiptarët që ngelën jashtë kufijve që iu pranuan Shqipërisë në vitin 1912 e kuptuan pa e ditur se këtë e kishte thënë Francis Bacon dhe e vuajtën në kurriz si në Mbretërinë Serbe, ashtu dhe pas Luftës së Dytë Botërore, kur filloi ndërtimi i rendit të ri botëror dhe përfunduan nën thundrën e Jugosllavisë së Titos!
Lënia e veriut të Kosovës pas luftës së vitit 1999 nuk ishte rastësi, por rezultat i një trashëgimie që duhet të jepte një produkt të këtij lloji pasi dhe me përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, Vendimet e Konferencës së Bujanit u shkelën me të dyja këmbët dhe Kosova mbeti nën Serbi. Dhe, ndonëse kaluan 80 vjet, nuk ka një studim të mirëfilltë socio-politik që sqaron se pse shqiptarët hoqën dorë nga këto vendime, në veçanti nga e drejta për vetëvendosje, kur dhe mund të korrigjohej padrejtësia historike dhe të bashkohej me Shqipërinë!
Nuk ju hyri në punë as kushtetuta e vitit 1974 sepse ishte analfabetizmi që përdorej nga Beogradi për ta sunduar në Kosovë dhe ishte vetëm Universiteti i Prishtinës ai i cili e hapi një kapitull të ri në historinë shqiptare jo vetëm në Kosovë!
Lufta kundër analfabetizmit nuk ishte e lehtë, sepse derisa po ndërtoheshin shtyllat kryesore të një shteti që edhe ligjërisht mund të ndërtohej brenda shtetit të Jugosllavisë, ishin analfabetët që e drejtuan këtë “shtet” dhe që e pamundësonin jetësimin e këtyre të drejtave që i garantonte edhe kushtetuta e Jugosllavisë!
Janë plotë 326 nene të kushtetutës të RSFJ-së, që nuk u përdorën kurrë nga autoritetet e Kosovës jo vetëm pse, siç thuhet, nuk e lejonte represioni i politik serb i Beogradit, por edhe sepse rolin kryesor e ka luajtur servilizmi, një armë që është përdorur dhe përdoret kryesisht nga analfabetët!
Dhe, ndonëse Universiteti i Prishtinës prodhoi shumë kuadro, ishin analfabetët komunistë që vendosnin për fatin e projekteve famoze që hartonin gjeneratat e sapokrijuara: ndërkohë ata që me dijen e tyre nuk lëshonin pe për hir të partisë, lehtësisht përfunduan në burgjet serbe!
Ndërsa edhe ata që e promovuan leximin duke mos e pasur merakun e PISA-s, por vetëdijen se kjo është arma e vetme me të cilën mund të ngadhënjehet ndaj politikës ekspansioniste serbe, sërish përfundonin lehtësisht në kazamatet serbe.
Pas gjithë këtij investimi kombëtar, zhvillimet e vitit 1989 nuk ishin teke të një hajvani si Sllobodan Milosheviqi, por rezultat i një politike që përkundër punës së madhe në zhvillimin e arsimit nga Universiteti i Prishtinë, edhe pas analfabetëve që nëse nuk drejtonin, vazhdonin të vendosnin analfabetët!
Injoranca është më shtrenjtë
Negociatat në Rambuje kur lufta e UÇK-së kishte çuar shumë procese përpara dhe lufta po zhvillohej, dëshmuan se cili është roli i një shqiptari të arsimuar ndryshe nga ai që pranoi në vitin 1945 të shkelë me të dyja këmbët edhe të drejtën e vetë të garantuar për vetëvendosje!
Negociatat për statusin përfundimtar të Kosovës kishin befasuar këndshëm edhe presidentin Ahtisari, i cili me mandatin e OKB-së po e drejtonte këtë proces, se si kishte njohës të mirë të pushtetit vendor edhe ndër shqiptarë.
Ndonëse vendimi për statusin përfundimtar u tha nga presidenti i SHBA-së, George W. Bush, në Tiranë një vit para se të përfundonte ky proces, Kosova u përfaqësua denjësisht duke e bindur edhe botën se ky vend lehtësisht edhe mund të qeveriset.
Varfëria e madhe ekonomike dhe mungesa e trashëgimisë në disa fusha e vështirësoi ndërtimin e shumë shtyllave shtetërore që mungojnë edhe sot, por fati i keq i shqiptarëve është se ishte varfëria intelektuale ajo që ishte më produktivja! Kaluan 24 vjet të vështira, u neglizhua investimi në shumë fusha, por arsimi na bënë të turpërohet çdo shqiptar normal.
I riu me mobil në dorë, që ka krijuar se po informohet për gjithçka, dhe në momentin që dëgjon se Kosova do jetë shteti i vetëm në Europë që do ngelet pa gazetë nuk tregon kurrfarë ndjesie, ishte alarm për këtë shoqëri dhe jo një normalitet që po gllabëronte teknologjia.
Shtete shumë më të përparuara se Kosova kanë parë të goditet shtypi nga teknologjia, pa iu munguar idiotë si batonë e buzhalë, por nuk kanë shoqëri të gatshme që t’i japin shkelmin gazetës së shtypur, sepse ato mbi gjithçka armën më të fortë e kanë leximin.
Kjo më së më miri pasqyrohet në Kosovë pa e lexuar rezultatin e PISA-së, në nivelin e ulët të debatit parlamentar, debateve në studio televizive dhe kumtesave në konferencat shkencore sepse leximi para së gjithash është dhe trashëgimi.
Në fund, për opozitën dhe kritikët e qeverisë që vazhdojnë dhe thonë se qeveria Kurti nuk ka bërë asgjë për arsimin dhe janë edhe ata vetë që nuk kanë bërë asgjë. Dhe, për pushtetarët e Albin Kurtit që thonë se kjo qeveri ka bërë shumë për arsimin dhe ato që nuk janë bërë mundohen të arsyetohen me gjendjen e mjeruar që kanë trashëguar dhe buxhetin faktik që ka Kosova, shumë kohë më parë e ka thënë profesori i njohur dhe kryetari i Psikologjisë Ekonomike dhe Sociale në Friedrich Alexander-Universität Erlangen-Nürnberg, FAU, Prof.Dr. Klaus Moser: “Arsimi është i shtrenjtë, por injoranca është edhe më e shtrenjtë!”. /revistashenja