Departamenti i Punës në Shtetet e Bashkuara raportoi të premten se ҫmimet e konsumit u rritën me një normë vjetore prej 6.8% në nëntor, norma më e shpejtë që nga fillimi i viteve 1980.
Rritja mujore ishte 0.8%, afërsisht në përputhje me pritshmëritë, e ndikuar kryesisht nga rritja e çmimeve të energjisë, ushqimeve dhe automjeteve. Muajin e kaluar, indeksi i çmimeve të konsumit u rrit me 0.9% dhe 6.2% në terma vjetor.
Duke përjashtuar çmimet e ushqimeve dhe të energjisë, të cilat shpeshherë janë të paqëndrueshme, indeksi bazë u rrit 0.5% në nëntor, një rënie nga shifra 0.6% e tetorit, si dhe me 4.9% në terna vjetor. Vetëm kostoja e energjisë u rrit 33.3% gjatë 12 muajve të fundit, duke kontribuar fuqishëm në rritjen e përgjithshme të çmimeve.
Inflacioni është pika e errët e një rimëkëmbjeje ekonomike jashtëzakonisht të shpejtë dhe të fortë nga dëmi i shkaktuar në vitin 2020 nga pandemia e koronavirusit. Fillimisht, zyrtarët e cilësuan rritjen e çmimeve si të përkohshme, si rezultat i një ekonomie që pati një kërkesë të madhe dhe të papritur në një kohë kur ekonomitë globale po rihapeshin pas mbylljeve të shkaktuara nga pandemia.
Produkti i brendshëm bruto i vendit, për shembull, parashikohet të kalojë rritjen vjetore prej 5% për këtë vit, ndërkohë që shkalla e papunësisë ka rënë në 4.2% dhe numri i atyre që paraqesin kërkesa për herë të parë për përfitimet e papunësisë është tani në nivelin më të ulët të më shumë se 50 viteve.
Por kjo rritje e çmimeve ka habitur ekonomistët dhe tani inflacioni shikohet si më problematik, pasi është zgjeruar përtej artikujve të tillë si makinat e përdorura dhe energjia, duke prekur tanimë edhe mallra të zakonshme si produktet ushqimore, veshjet dhe ҫmimet e banesave.
Sipas disa shenjave të fundit, inflacioni mund të fillojë të ulet, pasi kostot e energjisë kanë qenë në rënie ditët e fundit dhe ҫmimet e tjera po rriten me një ritëm më të ngadaltë krahasuar me fillimin e vitit. Por Rezerva Federale (Fed) ka vënë në shënjestër inflacionin, duke njoftuar muajin e kaluar se do të fillonte tërheqjen e një pjese të 120 miliardë dollarëve në muaj që ka shpenzuar për blerjen e letrave me vlerë të Thesarit dhe atyre të siguruara me hipotekë.
Analistët tani presin gjithashtu që Fed të afrojë zbatimin e planit për rritjen e normave të interesit në vitin 2022, nga viti 2023 kur ishte parashikuar më parë. Megjithatë, kjo çështje është një problem politik për administratën e presidentit Biden, pasi mesazhi i saj për ekonominë mbytet nga lajmet për inflacionin.
Sondazhi i CNBC All-America i publikuar të premten zbuloi se inflacioni e ka eklipsuar qartë koronavirusin, duke u renditur tashmë si çështja kryesore shqetësuese për amerikanët, ndërsa shkalla e miratimit e Biden për ekonominë vazhdon të jetë në rënie.
Shkalla e miratimit e Biden për ekonominë ra në 37% të të anketuarve që i aprovojnë politikat e tij, krahasuar me 56% që nuk i aprovojnë, duke pësuar një rënie nga 40% aprovim dhe 54% mosaprovim në sondazhin e tremujorit të dytë, sipas CNBC.
Dan North, ekonomist i lartë në Euler Hermes Amerika e Veriut, thotë se tregjet do të jenë gjithë sy e veshë duke pritur një njoftim nga kryetari i Fed-it, Jerome Powell, pas takimit të bankës qendrore javën e ardhshme. Powell u tha anëtarëve të Kongresit javën e kaluar se ai nuk e mbështeste më termin “kalimtar” për të përshkruar inflacionin aktual.
“Ndoshta gjëja më e rëndësishme,” tha Powell, “është se ne tani shikojmë një ekonomi shumë të fortë dhe presione shumë të larta të inflacionit, që do të thotë se është e rëndësishme që ne të diskutojmë në takimin tonë të ardhshëm … nëse do të ishte e përshtatshme të përfundonim me blerjet tona disa muaj më herët,” tha North.
“Kështu që kjo na tregon shumë qartë se çfarë do të dëgjojmë,” shton North. “Do të jetë interesante të shihet parashikimi i Fed për inflacionin tani.”
Në Shtëpinë e Bardhë, zyrtarët u përpoqën të shfaqnin një sjellje të guximshme të enjten, përpara daljes së raportit të inflacionit.
Brian Deese, kryetar i Këshillit Ekonomik Kombëtar të Bidenit, i mëshoi rënies së fundit të ҫmimeve të benzinës dhe të gazit natyror gjatë një konference për shtyp, si dhe paralajmëroi se të reja më të mira pritet të vijnë për inflacionin.
“Dhe së fundmi, vlerësimet e konsensusit të ekspertëve të jashtëm vazhdojnë të parashikojnë dhe të projektojnë se rritja e çmimeve do të zvogëlohet në vitin 2022,” tha Deese. “Konsensusi Blue-Chip për inflacionin bazë të shpenzimeve të konsumit personal, për shembull, deri në tremujorin e katërt të vitit të ardhshëm do të jetë ulur në 2.2 për qind.”
Shpenzimet e konsumit personal janë një matës i inflacionit që është shpesh më i ulët se indeksi i ҫmimeve të konsumit (IÇK) i cili është më i përdorur, si dhe është një indikator që Fed e monitoron nga afër pasi është më reagues ndaj ndryshimeve afatshkurtra të çmimeve.
Jason Furman, i cili drejtoi Këshillin e Këshilltarëve Ekonomikë të ish-Presidentit Barack Obama, tha në një postim në Twitter përpara publikimit të raportit se njerëzit nuk duhet t’i kushtojnë shumë rëndësi IÇK-së të të premtes, duke qenë se nga vetë natyra e saj, ajo tregon për të shkuarën.
“Të dhënat e sotme të IÇK-së do të konfirmojnë pritshmëritë e të gjithëve,” shkroi Furman në Twitter. “Kjo është kryesisht përgjigjja e saktë, sepse pjesa më e madhe e asaj që duhet të mendoni për inflacionin gjatë vitit të ardhshëm nuk duhet të ndryshojë shumë bazuar në raportin e një muaji.” /monitor