Infektime të qëllimshme/ Në SHBA do të trajtohen si sulme terroriste

Individët që qëllimisht përhapin koronavirusin, do të akuzohen për terrorizëm me qëllim ekspozimin dhe infektimin e të tjerëve – thotë Departamenti Amerikan i Drejtësisë.

Në një udhëzim të tij, shkruhet se virusi, duket se plotëson përcaktimin statusor të një agjenti biologjik. Udhëzimi i është shpërndarë të gjitha agjencive federale të ruajtjes së rendit në Shtetet e bashkuara dhe në thuhet se infektimi i qëllimshëm, mund të implikojë statutet anti terrorizëm të vendit. 

“Kërcënimet apo përpjekjet për ta përdorur Covid 19 si një armë kundër amerikanëve nuk do të tolerohen”, thuhet në udhëzimin në të cilin nënvizohen hapat agresivë të qeverisë federale ndërkohë që epidemia përhapet në të gjithë vendin. SHBA ka mbi 65 mijë raste të reja të virusit dhe mbi 1000 viktima. Zyrtarët thonë se duhet bërë gjithçka mundet për të mbrojtur të drejtat e amerikanëve dhe sigurinë në këtë kohë të trazuar. 

Javën e kaluar, prokurori i përgjithshëm Uilliam Barr, i kishte kërkuar prokurorëve federalë të trajtonin me prioritete hetimet për mashtrime apo sulme kibernetike që shfrytëzonin pandeminë. Raportimet për kura të rreme për virusin që shiten online dhe emaile-viruse nga persona që hiqen si zyrtarë të shëndetit publik duhet të trajtohen si krime që nuk mund të tolerohen. Pandemia është e rrezikshme mjaftueshëm pa keqbërësin që po kërkojnë të përfitojnë nga paniku publik dhe kjo lloj sjelljeje nuk mund të tolerohet – shkruante barr. Është e domosdoshme që departamenti i drejtësisë të mbetet vigjilent në këtë situatë./tch