Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Indonezia zyrtarisht i bashkohet grupit BRICS

Indonezia zyrtarisht i bashkohet grupit BRICS

Brazili, e cila mban presidencën e radhës të grupit BRICS, ka bërë të ditur se Indonezia zyrtarisht i është bashkuar këtij blloku ndërkombëtar, transmeton Anadolu.

Brazili mori presidencën e grupit BRICS më 1 janar të vitit 2025 dhe kjo udhëheqje do të zgjasë deri më 31 dhjetor të këtij viti.

BRICS, një aleancë gjeopolitike e themeluar në vitin 2009, fillimisht ishte e përbërë nga Brazili, Rusia, India, Kina dhe Afrika e Jugut.

Ministria e Punëve të Jashtme e Brazilit përmes një njoftimi përgëzoi Indonezinë për anëtarësimin në bllok.

“Qeveria braziliane përgëzon qeverinë e Indonezisë për anëtarësimin e saj në BRICS. Indonezia, e cila ka popullsinë dhe ekonominë më të madhe në Azinë Juglindore, ndan me anëtarët e tjerë të grupit mbështetjen për reformën e institucioneve të qeverisjes globale dhe kontribuon pozitivisht në thellimin e bashkëpunimit në Jugun Global, një çështje prioritare për presidencën e BRICS të Brazilit”, tha ministria braziliane.

Kandidatura e Indonezisë u miratua fillimisht nga krerët e grupit BRICS në Samitin e Johannesburgut në gusht të vitit 2023. Megjithatë, derisa Indonezia po përgatitej për zgjedhjet e përgjithshme në shkurt të vitit 2024, kombi komunikoi zyrtarisht qëllimin për t’u bashkuar me bllokun vetëm pasi të formohej qeveria e re.

Aktualisht, BRICS përbën 40 për qind të popullsisë së botës dhe 35 për qind të prodhimit bruto të brendshëm global, duke e bërë atë një lojtar të rëndësishëm në skenën gjeopolitike. Anëtarësimi i saj vazhdon të rritet, me 13 kombe të reja që u bashkuan si vende partnere që nga tetori i vitit 2024.

Lidershipi i grupit BRICS ka mirëpritur gjithashtu katër vende të Azisë Juglindore në radhët e saj, respektivisht Malajzinë, Indonezinë, Vietnamin dhe Tajlandën.

Exit mobile version