Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Indonezia shënon 20-vjetorin e cunamit në Oqeanin Indian që shkaktoi 230 mijë...

Indonezia shënon 20-vjetorin e cunamit në Oqeanin Indian që shkaktoi 230 mijë të vdekur

Indonezia sot shënoi 20-vjetorin e cunamit vdekjeprurës të vitit 2004 në Oqeanin Indian që shkaktoi vdekjen e mbi 230 mijë njerëzve, transmeton Anadolu.

Qindra njerëz u mblodhën në Gampong (Desa) Lambung, në qytetin Banda Aceh, për të bërë lutje për viktimat e një prej fatkeqësive më vdekjeprurëse të historisë, raportoi agjencia shtetërore e lajmeve “Antara News”.

Njerëzit vizituan zonat e varreve masive në Banda Aceh, kryeqyteti i provincës më veriore të Indonezisë, Aceh, dhe vendosën lule dhe bënë lutje pranë varreve masive.

Ngjarja kryesore u mbajt në “Ndërtesën e Shpëtimit” në rrethin Meuraxa të qytetit Banda Aceh, ku morën pjesë banorë vendas. 20 vjet më parë në këtë ditë, Oqeani Indian dëshmoi një tërmet intensiv me fuqi prej 9.1 ballë nën det në veri të Indonezisë, duke shkaktuar cunami me valë të larta 17 metra. Epiqendra ishte afër bregut perëndimor të Sumatrës.

Fuqia e tërmetit mendohet të ketë pasur energjinë e 23 mijë bombave atomike të tipit të Hiroshimës.

Menjëherë pas tërmetit, valët vrasëse goditën të paktën 11 vende, duke prekur njerëz nga Afrika Lindore deri në Tajlandë. Vlerësohet se 230 mijë njerëz, 170 mijë prej tyre në Indonezi humbën jetën dhe gati dy milionë u zhvendosën.

Tajlanda dhe Sri Lanka u goditën gjithashtu nga fatkeqësia vdekjeprurëse, ku mbi 8.000 njerëz humbën jetën në Tajlandë dhe rreth 35 mijë në Sri Lanka.

Exit mobile version