Indonezia do t’i fundos varkat e huaja që peshkojnë ilegalisht

Autoritetet indoneziane kanë konfiskuar 13 varka peshkimi vietnameze, të cilat peshkonin në mënyrë të paligjshme në ujërat e Indonezisë, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministrja e Çështjeve Detare dhe Administrimit të Ujërave të Indonezisë, Susi Pudjoastuti ka thënë se anijet e peshkimit nga Vietnami janë konfiskuar në rajonet Kalimantanit Perëndimor dhe Tanjung Data.

Në këtë rajon më herët janë konfiskuar edhe 36 varka.

Ministrja Susi tha se në ditët e ardhshme të gjitha varkat e konfiskuara do të fundosen.

Gjatë pesë viteve të fundit, autoritetet indoneziane konfiskuan dhe fundosën mbi 500 varka peshkimi që lundronin në mënyrë të paligjshme dhe peshkonin në ujërat e Indonezisë nga vendet fqinje. Varkat e konfiskuara u shkatërruan me eksploziv në det të hapur.

Presidenti indonezian, Joko Widodo pati paralajmëruar luftë të vendosur dhe të pakursyeshme kundër peshkimit të paligjshëm pas ardhjes në pushtet në vitin 2014, i cili pretendon se në masë të konsiderueshme kërcënon ekonominë kombëtare.