Indonezi, tërhiqet nga deti kutia e zezë e avionit të rrëzuar

Kutia e zezë e avionit të pasagjerëve që u rrëzua pak pas ngritjes në Indonezi është tërhequr nga deti, raporton Anadolu Agency (AA).

Zyrtarët e Agjencisë së Kërkimit dhe Shpëtimit konfirmuan se kutia e zezë është hequr nga rrënojat në det dhe do të transferohet në qendrën e krizës.

Agjencia, e cila deri më tani nuk ka dhënë ende shpjegim zyrtar për shkakun e rrëzimit, tha se shkaku mund të përcaktohet duke shqyrtuar kutinë e zezë.

Ministri i Transportit i Indonezisë, Budi Karya Sumadi, në një konferencë për shtyp më 9 janar njoftoi se avioni me numër udhëtimi “SJ182” me 50 udhëtarë dhe 12 persona të ekuipazhit, që humbi kontaktet pesë minuta pas ngritjes në fluturim, është rrëzuar në një pikë mes ishullit Laki dhe Lancang në brigjet e Xhakartës veriore.

Zëdhënësja e Ministrisë së Transportit të Indonezisë, Adita Irawati, më herët njoftoi se kontakti i fundit me avionin i cili u ngrit në fluturim nga kryeqyteti Xhakarta drejt qytetit Pontianak ka qenë në ora 14:40 sipas kohës lokale.

Ndërkohë, flota e Indonezisë kishte deklaruar se rrënojat e avionit janë shpërndarë në katër pika të ndryshme në brigjet e ishujve Thousand në veri të bregut të kryeqytetit Xhakarta.

Në një deklaratë nga llogaria e medias sociale të Flightradar24 e cila ndjek fluturimet globale, ishte bërë e ditur se avioni katër minuta pas ngritjes në fluturim arriti në lartësinë rreth 11 mijë ft (3.352 metra) dhe se më pas në një kohë më pak se 1 minutë lartësia e tij ra në 250 ft duke humbur edhe kontaktin me qendrën e kontrollit të trafikut ajror.