Të paktën 13 persona e kanë humbur jetën si pasojë e shpërthimit të vullkanit Semeru i cili ndodhet në rajonin e Javas Lindore në Indonezi, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të “Straits Times”, pas shpërthimit që ndodhi në vullkanin Semeru me një lartësi prej 3.676 metra në rajonin Lumajang, vendbanimet përreth u mbuluan nga tymi dhe hiri intensiv. Ndërsa nga shpërthimi u prekën 11 fshatra.
Zyrtari i Agjencisë Kombëtare Indoneziane e Fatkeqësive (BNPB), Abdul Muhari në një deklaratë me shkrim tha se pas shpërthimit kanë humbur jetën 13 persona nga të cilët vetëm 2 janë identifikuar.
Ai theksoi se për shkak të shpërthimit janë plagosur 98 persona dhe se shumica e tyre kanë marrë trajtim për djegie.
Për shkak të tymit dhe hirit shumë fshatra janë zhytur në errësirë ndërsa 902 persona janë evakuuar në zona të sigurta.
Pas shpërthimit janë shpëtuar 10 punonjës të cilët ishin bllokuar në një minierë.
Zv.kryeministrja e rajonit Lumajang, Indah Masdar dje tha se një person ka humbur jetën për shkak të djegieve të rënda në trup dhe se 41 të tjerë ishin plagosur.
Në Indonezi e cila ndodhet në brezin e tërmeteve dhe vullkaneve të emërtuar si “Unaza e Zjarrtë e Paqësorit”, janë aktivë rreth 130 vullkane. /aa