Pasi që vullkani Agung, në ishullin Bali të Indonezisë vazhdoi të nxjerrë sasi të mëdha të hirit, autoritetet kanë vendosur të mbyllin për të gjitha fluturimet edhe për 24 orët e ardhshme aeroportin ndërkombëtar “I Gusti Ngurah Rai”, transmeton Anadolu Agency (AA).
Agjencia për Menaxhim me Katastrofa (BNPB) njoftoi se ky vendim është marrë për shkaqe të sigurisë, duke patur parasysh se vullkani hedh hi dhe tym në një lartësi deri në tre kilometra.
Të hënën, Ministria indoneziane e Transportit përkohësisht mbylli aeroportin në Bali, duke anuluar më shumë se 400 fluturime, e cila ndikoi tek 60 mijë udhëtarë.
Agjencia Kombëtare e Indonezisë për fatkeqësitë natyrore, për shkak të reve të dendura të tymit dhe hirit që vullkani ka vazhduar të nxjerrë për disa ditë, të hënën në mëngjes shpalli nivelin më të lartë të alarmit.
Për shkak të rrezikut të shpërthimit, autoritetet lokale kanë urdhëruar evakuimin e më shumë se 100 mijë banorëve.
“Qendra e vullkanologjisë dhe reduktimit të dëmeve gjeologjike, vazhdoi të raportojnë për rritjen e aktivitetit vullkanik, me potencial më të madh për një shpërthim, por nuk mund të përcaktohet intensiteti i tij”, tha zëdhënësi i BNPB-së.
Vullkani për herë të fundit shpërtheu në vitin 1963, me ç’rast mori 1.100 jetë njerëzish.