Rreth 50 mijë njerëz kanë braktisur zonën rreth vullkanit Agung në ishullin indonezian të Balit, të frikësuar nga një shpërthim i mundshëm i vullkanit, raporton Anadolu Agency (AA).
Zëdhënësja e Agjencisë për ndihma gjatë fatkeqësive në Bali, Waskita Sutadewa, tha të hënën se njerëzit janë shpërndarë anembanë ishullit, ndërsa disa prej tyre u shpërngulën në Lombokun fqinj.
Vullkani Agung është një kërcënim në rritje, ndërkohë që për shkak të aktivitetit sizmik gjithnjë e më intensiv, agjencitë përkatëse javën e kaluar shpallën nivelin më të lartë të paralajmërimit në rajon.
Ekspertët paralajmërojnë se vullkani mund të shpërthejë në çdo kohë, prandaj evakuimi parandalues synon të shmang një tragjedi siç ishte ajo në vitin 1963, kur humbën jetën të paktën 1.100 njerëz.