Indonezi, disa të plagosur në një sulm vetëvrasës me bombë në kishë

Incidenti ndodhi në Katedralen e Zemrës së Shenjtë të Jezusit, ndërsa po mbahej mesha e së Dielës së Palmave

Një sulm vetëvrasës me bombë ka ndodhur në një kishë katolike në ishullin Sulavesi Jugor të Indonezisë, raporton Anadolu Agency (AA).

Bomba vetëvrasëse shpërtheu në Katedralen e Zemrës së Shenjtë të Jezusit në ora 10:28 të mëngjesit sipas kohës lokale (0328 GMT), gjatë një shërbese katolike, tha kreu i Marrëdhënieve me Publikun i Policisë Rajonale të Sulavesit Jugor, Endra Zulpan.

Policia konfirmoi se shpërthimi në Kishën Katedrale Makassar ishte bombë vetëvrasëse pasi hetoi mbetjet mortore të një të vdekuri.

“Një viktimë konfirmohet si sulmues vetëvrasës”, u tha gazetarëve Inspektori i Përgjithshëm i Policisë së Sulavesit Jugor, Gjeneral Merdisyam.

Sipas kreut të Divizionit të Marrëdhënieve me Publikun të Inspektorit të Përgjithshëm të Policisë Kombëtare Argo Yuwono, dy persona, të dyshuar si sulmues me bomba, mbërritën me motor dhe u përpoqën të hynin në kishë.

Shpërthimi ndodhi nga hyrja anësore e kishës.

U gjetën pjesë të trupit në vendin e ngjarjes, por ato ende nuk janë identifikuar.

Të paktën 14 viktima pësuan lëndime serioze dhe u dërguan menjëherë në spitale.

Duke i bërë thirrje publikut të mbetet i qetë dhe të mos mbështeten në informacione që nuk bazohet në burime zyrtare, Mohammad Ramdhan Pomanto, kryetari i qytetit Makassar, tha se siguria në rajon është rritur dhe një hetim është duke u zhvilluar.

Deri më tani askush nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin. /aa