India ka regjistruar 3,689 viktima me koronavirus brenda 24 orëve, njëherësh shifrën më të lartë ditore të të vdekurve prej kur ka nisur pandemia.
Më 1 maj, India është bërë shteti i parë në botë që ka regjistruar mbi 400,000 të infektuar me këtë virus brenda një dite.
Kryeministri indian Narendra Modi është takuar të dielën me ministrin e Shëndetësisë për të analizuar krizën shëndetësore.
Spitalet në Indi janë duke u përballur me vështirësi pasi ka mungesë të shtretërve dhe oksigjenit mjekësor.
Nëpër rrjetet sociale janë publikuar për gati 10 ditë, materiale ku shihen familjarët duke lutur stafin shëndetësor për ndihmë, ndërkohë që krematoriumet janë të stërngarkuara.
Gati 10 shtete indiane dhe territore kanë vendosur ndonjë formë të izolimit, ndonëse qeveria federale vazhdon të mos marrë vendim për izolim kombëtar.
Muajin e kaluar kryeministri Modi ka thënë se duhet të shmanget çdo lloj i izolimit.
Qeveria federale shqetësohet se një izolim i dytë do të ketë ndikim shkatërrues në ekonomi.
Masa e parë e izolimit, e vendosur vitin e kaluar si pasojë e valës së parë të pandemisë, ka rezultuar me humbje të shumë vendeve të punës dhe rënie ekonomike në nivel rekord prej 24 për qind në periudhën prill-qershor 2020, në krahasim me periudhën e njëjtë të një viti më parë.
Në mesin e krizës, të dielën kanë nisur të numërohen votat për zgjedhjet e mbajtura në pesë shtete në muajt mars dhe prill.
Rezultati do të mund të shihet si shenjë se si ka prekur pandemia mbështetjen për Modin dhe partinë e tij hinduse BJP. /rel