Ballina Lajmet Rajon dhe Botë India dhe Pakistani rinovojnë paktin e Korridorit Kartarpur për 5 vitet e...

India dhe Pakistani rinovojnë paktin e Korridorit Kartarpur për 5 vitet e ardhshme

India dhe Pakistani kanë rinovuar paktin e Korridorit Kartarpur për pesë vitet e ardhshme, transmeton Anadolu.

Ministria e Punëve të Jashtme e Indisë njoftoi se marrëveshja, e nënshkruar më 24 tetor të vitit 2019 për të lehtësuar vizitën e pelegrinëve të komunitetit Sikh nga India në Gurdwara Darbar Sahib Kartarpur në Pakistan, ishte e vlefshme për një periudhë 5-vjeçare.

Zgjatja e vlefshmërisë së marrëveshjes, sipas ministrisë, do të sigurojë “funksionimin e pandërprerë të korridorit për përdorim nga pelegrinët nga India për të vizituar Gurdwaran e shenjtë në Pakistan”.

Ministri indian i Punëve të Jashtme, Subrahmanyam Jaishankar, tha se qeveria e kryeministrit Narendra Modi “do të vazhdojë të lehtësojë qasjen e komunitetit tonë Sikh në vendet e tyre të shenjta”.

E vendosur rreth 115 kilometra nga qyteti pakistanez Lahore, faltorja e njohur si Kartarpur Sahib Gurudwara është një nga vendet më të nderuara për komunitetin Sikh pasi besohet se atje qëndroi për 18 vjet Baba Guru Nanak, themeluesi i fesë Sikh-e.

Ministria indiane po ashtu njoftoi se New Delhi ka kërkuar nga Islamabadi të heq dorë nga 20 dollarë taksa të shërbimit të vendosur nga Pakistani për pelegrin për vizitë.

Exit mobile version