India ka nisur të dërgojë mijëra përforcime në rajonin Jammu dhe Kashmir pas vrasjeve në javët e fundit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas lajmit të Dawn, duke cituar autoritetet thuhet se përforcime kanë filluar të dërgohen në rajonin e kontrolluar nga India në Jammu dhe Kashmir pas një sërë vrasjesh të organizuara të ndodhura në javët e fundit.
Zëdhënësi i Forcave Policore të Jammu Kashmir, Abhiram Pankaj tha se rreth 2.500 përforcime kanë mbërritur dhe janë vendosur në zonë dhe shumë ushtarë tjerë janë në rrugë.
Nga kjo javë rreth 5.000 ushtarë shtesë do të vendosen në rajon. Qeveria indiane ka vendosur të paktën 500 mijë trupa në rajon për dekada të tëra.
– Çështja e Kashmirit
Pasi Britania e Madhe u tërhoq nga India, të cilën e sundoi si koloni, në vitin 1947, Kashmiri, i cili ishte një principatë në atë kohë, u përball me zgjedhjen e bashkimit me Indinë ose Pakistanin e sapo pavarësuar.
Edhe pse banorët e Kashmirit, popullsia e së cilës është 90 për qind muslimanë, morën një qëndrim në favor për bashkim me Pakistanin në vitin 1947, princi i kohës vendosi të bashkohej me Indinë.
Vendimi u kundërshtua nga populli musliman i Kashmirit. Palët luftuan për herë të parë në vitin 1947, kur Pakistani dhe India dërguan trupa në rajon. Për të njëjtën arsye, lufta shpërtheu midis dy vendeve në vitet 1965 dhe 1999.
Si rezultat i armëpushimit të përkohshëm pas luftërave, 45 për qind e Jammu dhe Kashmirit mbetën nën kontrollin indian dhe 35 për qind në Pakistan. Një pjesë prej 20 për qind në pjesën lindore të rajonit iu dha Kinës fqinje.
Këshilli i Sigurimit të OKB-së parashikon demilitarizimin e Kashmirit me rezolutat e tij të marra që nga viti 1948 dhe që e ardhmja e tij të përcaktohet me votën e popullit.
Teksa qeveria indiane miraton një qëndrim kundër votimit, Pakistani kërkon që të zbatojë rezolutat e Këshillit të Sigurimit. /aa