Të paktën 15 persona dyshohet se kanë vdekur sot pas një rrëmuje në Maha Kumbh Mela, një festival hindu që njihet si kongregacioni më i madh fetar në botë, sipas të përditshmes Hindustan Times, transmeton Anadolu.
Megjithatë, zyrtarët ende nuk kanë konfirmuar ndonjë numër të vdekjeve të shkaktuar nga rrëmuja.
Festivali nisi në fillim të këtij muaji në shtetin verior Uttar Pradesh.
Zyrtarët thanë se incidenti ndodhi në Mauni Amavasya – dita më e rëndësishme e festivalit. Autoritetet lokale po prisnin një rekord prej 100 milionë pjesëmarrësish.
Kryeministri indian Narendra Modi e cilësoi aksidentin “jashtëzakonisht pikëllues”.
“Ngushëllimet e mia më të thella për besimtarët që kanë humbur të dashurit e tyre. Së bashku me këtë, u uroj shërim të shpejtë të të gjithë të lënduarve”, tha Modi.
Ai tha se administrata lokale është “e angazhuar në ndihmën e viktimave në çdo mënyrë të mundshme”.
Maha Kumbh zhvillohet çdo 12 vjet në brigjet e lumit në qytetin Prayagraj. Këtë vit, ai mbahet nga 13 janari deri më 26 shkurt dhe pritet të marrin pjesë rreth 400 milionë njerëz.
Prayagraj, më parë Allahabad, konsiderohet veçanërisht i shenjtë për hindutë, pasi në të ndodhet Triveni Sangam, bashkimi i shenjtë i lumenjve Gange, Yamuna dhe Saraswati.