Në shtetin lindor të Indisë, Orissa, është duke u kërkuar majmuni për të cilin pretendohet se ka rrëmbyer foshnjën nga shtëpia ku ka hyrë.
Sipas lajmit të BBC, një majmun ditën e shtunë ka rrëmbyer një foshnjë nga një shtëpi ku kishte hyrë pavarësisht kundërshtimit të nënës së foshnjës, transmeton Anadolu Agency.
Theksohet se foshnja ditë më pas është gjetur në pusin pas shtëpisë dhe nuk kishte plagë serioze.
Vendasit theksojnë se majmuni gjatë bartjes së foshnjës mund të ketë rrëzuar atë në pus, ndërsa policia theksoi se majmunët në përgjithësi hyjnë nëpër shtëpi, ndërsa ky rast është hera e parë ku rrëmbehet foshnjë nga një majmun.
Punonjësi lokal i policisë, PC Pradhan, tha se shpresojnë që për një kohë prej një javësh do të gjejnë majmunin në bashkëpunim me ekspertë për kapjen e majmunëve.